Ka filluar në Prishtinë Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”
Më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë, po marrin pjesë në takimin treditor, i dyti i këtij lloji në Kosovë.
Seminarin e hapi kryesuesi i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlmentare të NATO-s, deputeti Driton Hyseni, i cili edhe moderoi pjesën hyrëse të këtij takimi.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u fokusua në agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat që ky agresion ka shkaktuar në sigurinë globale.
Kreu i Kuvendit tha se e gjithë bota demokratike është mobilizuar dhe organizuar për ta konfrontuar këtë invazion të papranueshëm ushtarak të Rusisë, i cili po shoqërohet edhe me aneksimin më të madh të territorit qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, shtoi kryetari Konjufca, agresioni rus nuk e frikëson botën demokratike. Përkundrazi, sipas tij, ajo është unifikuar si kurrë ma parë pas vitit 1989, për ta frenuar ekspansionizmin ushtarak rus.
“Asnjëherë prej kur ra Muri i Berlinit në mes të Evropës, që çoi drejt bashkimit të kontinentit tonë, nuk ka pasur vit si ky i cili e qartëson përpjekjen e forcave antidemokratike për ndarjen e botës në dy hemisfera gjeopolitike. Hemisfera e parë është ajo demokratike e cila e ka ndërtuar edhe aleancën më të fuqishme ushtarake moderne, NATO-n. Hemisfera tjetër e vendeve autokratike po dominohet nga Federata Ruse, tash edhe përmes hegjemonizmit të paprecedent në shekullin tonë, duke i kërcënuar drejtpërdrejt edhe shtetet e BE-së”, tha kryetari Glauk Konjufca.
I pai i legjislativit tha se lufta e Ukrainës nuk është thjesht luftë e një populli për çlirim nga pushtimi i padrejtë, por luftë e të gjithëve për kompletimin global të demokracisë. Republika e Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike, duke qenë e koordinuar me politikën e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve kundër Federatës Ruse.
Duke hedhur paralele midis Milosheviqit në rastin e Kosovës dhe të Putinit në rastin e Ukrainës, kryetari i Kuvendit tha se kjo është një politikë psikopatologjike e subordinimit, terrorizimit dhe e mospranimit të shteteve të lira, të cilat në mënyrë demokratike duan të vendosin vet se cilës aleancë ushtarake t’i përkasin dhe në cilën bashkësi politike të vlerave të marrin pjesë.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veriatlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshme që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO”, theksoi në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca.
Duke marrë fjalën në seminar, presidentja Vjosa Osmani tha se ajo përfaqëson një popull që ka qenë viktimë e gjenocidit të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, përderisa ishin sakrifica e vërtetë dhe qëndrueshmëria që sollën deri tek liria e fituar me gjak e me djersë.
Presidentja Osmani tha se pjesëmarrësit e këtij seminari vijnë në vendin dhe në kohën e duhur për shkak se adresohen më shumë se sa perspektiva të ardhshme.
“Për Kosovën integrimi euroatlantik ka qenë më shumë se sa thjesht një deklaratë e zbrazët. Ajo gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një interes vital, strategjik kombëtar”, theksoi presidentja Osmani, duke e konsideruar me rëndësi për secilin anëtar të NATO-s që ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.
Në vijim fjalën e mori ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Klly, duke vlerësuar lart faktin që Kosova është nikoqire për herë të dytë e Seminarit Rose Roth, si dëshmi e zotimit dhe përkushtimit të saj për përmirësimin e sigurisë në Ballkan dhe Evropë.
Ambasadori zviceran foli për rolin shumëfishtë të Zvicrës në rajonin e Ballkanit, si dhe për pasojat e agresionit rus në Ukrainë.
Nëpërmjet videomesazhit, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald E. Connolly, u fokusua tek agresioni rus, duke e konsideruar atë si përpjekje për të shkatërruar demokracinë në Ukrainë dhe kudo tjetër.
Z. Connolly theksoi rëndësinë që Ballkani Perëndimor dhe shtetet euroatlatike të punojnë ngushtë për të penguar fuqitë destabiliziuese dhe për të punuar për stabilizimin e metëjmë të rajonit.
Po në këtë frymë ishte edhe diskutimi i z. Dimitar Bechev, Ligjërues i Studimeve Globale në Universitetin e Oksfordit, në temën: sfidat e mbetura dhe perspektiva e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane.
Gjatë fjalës së tij, Bechev u fokusua tek efektet që lufta në Ukrainë mund të ketë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sic janë ato në ekonomi, sidomos në energjitikë, por edhe te lufta informative dhe propaganduese e Moskës. /arbresh.info/
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie profili i metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizren
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...