Analistët komentojnë dorëheqjen e ministrit Latifit, Komisioni për Shëndetësi një nga arsyet

08:00 | 8 Tetor 2022
K.B

Të enjten e 6 tetorit, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dha dorëheqje të befasishme nga kjo pozitë.

Arsyet e kësaj dorëheqje nuk u bënë të ditura as nga Latifi, e as nga qeveria e Kosovës.

Megjithatë një letër e dorëheqjes së Latifit dorëzuar kryeministrit Albin Kurti është publikuar.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Të premten në orët e pasdites kryeministri, Albin Kurti, priti në takim tashmë ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin.
Kurti shprehu mirënjohje për punën, angazhimin dhe kontributin e tij, duke e falenderuar që nuk ka kursyer jo vetëm dijen e përvojën e tij, por edhe kontaktet e shumta ndërkombëtare, për ta ndihmuar e avancuar sektorin dhe sistemin e shëndetësisë në Kosovë, përcjell arbresh.info.

“Duke e falënderuar për besimin dhe bashkëpunimin, Latifi shprehu gatishmërinë e tij dhe u zotua për vazhdim të mbështetjes si profesionist, akademik e qytetar, sidomos në projektet e filluara tanimë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Qeveria bëri të ditur se Kurti të premten ka emëruar zëvendësministren Dafina Gexha-Bunjaku për ushtruese të detyrës së Ministres në Ministrinë e Shëndetësisë, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Ndërkohë prej kur ishte emëruar në këtë pozitë në nëntor të vitit 2021, Latifi u përball me akuza nga më të ndryshmet, për shkak të udhëtimeve të tij që nuk ishin të pakta, raporton arbresh.info.

Dorëheqjen e tij, shumë e lidhën me themelimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi gjatë muajit shtator, ku kryeshef i atij Komisioni u vetëshpall kryeministri Kurti.

Madje, opozita që nga ai moment, e konsideronte Kurtin si ministër të Shëndetësisë, e jo Latifin.

Sipas analistes Afërdita Maliqi, një nga arsyet më të mëdha pse Latifi dha dorëheqje ka qenë pikërisht themelimi i këtij Komisioni. Në një bisedë për arbresh.info ajo tha se ish-ministrit Latifi iu morën kompetencat me këtë Komision.

“Pas themelimit të Komisionit për Shëndetësi, sikur ju morën kompetencat nga Kurti ministrit Latifi, dhe ashtu ishte një ulje për Latifin. Pas kësaj, ka qenë pak e vështirë pastaj puna për Latifin dhe kjo mund të ketë qenë një nga arsyet e forta.” – tha Maliqi për arbresh.info.

Maliqi përmendi kthimin e ish-ministrit nga ShBA-të për të punuar në Kosovë si ministër, me ç’rast tha se përderisa qeveria po u bën thirrje mjekëve jashtë vendit për t’u kthyer dhe për të punuar në Kosovë, kjo dorëheqje është një ‘sihariq’ i keq për ta.

“Siç e dimë, shëndetësia është në gjendjen më të keqe të mundshme. Vetëm pak ditë më parë ju bë ftesë mjekëve që jetojnë jashtë të kthehen dhe të punojnë në Kosovë, duke u mundësuar edhe lehtësira. Dorëheqja e Latifit është njē sihariq i keq për këdo që ka pretendu m’u kthy e me punu këtu!” – theksoi ajo për arbresh.info.

Sheholli: Konsideroj që sektori i shëndetësisë është në kolaps total andaj ministri Latifi u detyrua të tërhiqet

Ndërsa, analisti politik Fatmir Sheholli dorëheqjen e ish-ministrit e sheh si rezultat të gjendjes së keqe të shëndetësisë në Kosovë, pra, sipas tij, Latifi e kishte të pamundur t’i realizonte reformat e tij.

“Konsideroj që sektori i shëndetësisë është në kolaps total andaj ministri Latifi duke e parë pamundësinë e reagimeve dhe reformave ka qenë i detyruar që të tërhiqet.” – deklaroi Sheholli për arbresh.info.

Sa i përket performancës së Latifit, opinionistja Maliqi tha se ish-ministri nuk ka pasur kohë të mjaftueshme dhe nuk është përshtatur në sistemin që e ka Kosova, meqë dihet se ai ka punuar në ShBA.

“Nuk ka pas kohë të mjaftueshme për me zhvillu projektin e tij, duke pas parasysh gjendjen që është shëndetësia shto këtë se ai ka punuar në një sistem tjerë, në Amerikë!” – përfundoi Maliqi për arbresh.info.

Sheholli pohoi se ato që i ka premtuar Latifi pas marrjes së pozitës dështoi t’i realizonte.

“Ish-ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi, nuk ka arritur që strategjinë e tij që e ka promovuar ta zbatoj në praktikë.” – u përgjigj Sheholli për arbresh.info.
Arbresh.info ka provuar të kontaktojë edhe me opozitën në lidhje me këtë temë, por ata kanë refuzuar të japin përgjigje.

Ndryshe, Latifi erdhi në postin e ministrit pikërisht në kohën kur shëndetësia në vend gjendet në një gjendje aspak të mirë, me mungesë të barnave, mungesë të stafit dhe të kushteve optimale për punë, duke filluar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës e deri në spitalet rajonale nëpër çdo komunë.

Për një vit e gjysmë sa është në qeverisje, ky është ministri i dytë i qeverisë Kurti që jep dorëheqje nga pozita e njëjtë, ajo e ministrit të Shëndetësisë.

Në nëntor të vitit të kaluar ish-ministri Arben Vitia dha dorëheqje nga pozita e tij për shkak të angazhimit në garën për kryetar të komunës së Prishtinës, garë në të cilën dështoi të dalë triumfues. /arbresh.info/ Emir Abduramani/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme