Nesër, më 8 tetor 2022, në orën 8:45, në Hotelin Swiss Diamond në Prishtinë fillon punimet Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, në të cilin pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.
Në takimin 3-ditor do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.
Ligjvënës të NATO-s, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, do të diskutojnë gjithashtu për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas Covid-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë, si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.
Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri. /arbresh.info/
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...