Google ADS

Mbrojtja e Haradinajt kërkon leje për të shtuar një pikë në apelin e saj lidhur me dështimin e prokurorisë për të respektuar Rregullën 103 gjatë gjykimit

10:15 | 7 Tetor 2022
Emir Abduramani

Sikurse mbrojtja e Hysni Gucatit edhe mbrojtja e Nasim Haradinaj, ka kërkuar nga paneli i Gjykatës së Apelit autorizim për të shtuar një pikë në apelin e saj në lidhje me dështimin e prokurorisë për të respektuar Rregullën 103 gjatë gjykimit.

Rregulla 103 përcakton nxjerrjen e provave shfajësuese, e cila thotë “Në varësi të rregullës 107 dhe rregullës 108, Prokurori i Specializuar i vë menjëherë në dispozicion mbrojtjes çdo informacion për të cilin ka arsye të besohet se sugjeron pafajësinë, apo lehtëson fajësinë e të akuzuarit, apo ndikon në besueshmërinë ose mbështetshmërinë e provave të Prokurorit të Specializuar, sapo një informacion i tillë të jetë nën ruajtjen, kontrollin apo dijeninë faktike të Prokurorit të Specializuar”.

Në shkresën e mbrojtjes së Haradinaj thuhet se ankuesi aplikon për leje për të ndryshuar bazat e ankesës të parashtruara më parë në pajtim me Rregullin 176(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës (“Rregullat”), në mënyrë që t’i mundësohet të shtojë dhe argumentojë një tjetër bazë të apelit për të adresuar dështimin e vazhdueshëm të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (“ZPS”) për të respektuar Rregullën 103 gjatë gjykimit, dhe si rrjedhim të ngrejë një çështje të mëtejshme nëse ankuesi ka pasur një gjykim të drejtë, duke pasur parasysh çështjet e shumta dhe të vazhdueshme dështimet e zbulimit.

Sipas mbrojtjes, m ë 26 shtator 2022, ankuesi mori zbulimin e shtatë artikujve (“Zbulimi 1”) sipas rregullit 103 në përputhje me Urdhrat e Kolegjit të Gjykatës së Apelit të datës 15 shtator 2022 dhe 23 shtator 2022.

Mbrojtja pretendon se secila prej tyre ishte në posedim të Prokurorisë para shpalljes së aktgjykimit nga trupi gjykues, dhe moszbulimi i tyre para shpalljes së aktgjykimit ishte në kundërshtim me rregullën 103.

“Nuk duhet të diskutohet se materiali që formon Zbulimin 1 nuk ishte i disponueshëm për ankuesin në kohën e dorëzimit të njoftimit të tij të apelit dhe më pas dosjes së apelit, pasi materiali u zbulua vetëm në përputhje me urdhrat e Kolegjit të Apelit më 15 dhe 23 shtator 2022 dhe nuk i është zbuluar ankuesit përmes Legal Work Flow deri më 26 shtator 2022”, thuhet tutje.

Më tej, thuhet se duke pasur parasysh kohën e parashtrimeve të ZPS-së, dhe vendimet që kanë pasuar nga Kolegji i Apelit, dhe duke e informuar Kolegjin e Apelit më 29 shtator 2022 për qëllimin e tij për të paraqitur një kërkesë të tillë, ankuesi e ka paraqitur këtë kërkesë në kohë të mirë.

Mbrojtja ka kërkuar kërkon shtimin e bazës së mëposhtme dhe si rrjedhojë ndryshimin e njoftimit të ankimimit tashmë të paraqitur:

Se Trupi Gjykues gaboi në ligj dhe fakt në gjetjen e fajësisë dhe/ose shpalljen e një vendimi gjyqësor kur ZPS-ja kishte dështuar t’i përmbahej detyrimeve të saj për zbulim sipas Rregullës 103 dhe në këtë mënyrë dështoi të sigurohej që Ankuesi kishte marrë ose së paku kishte marrë njoftim për të gjithë informacionin përkatës të mbajtur nga ZPS;

  1. ii) Dështoi të sigurohej që Ankuesi kishte marrë ose së paku kishte njoftuar për të gjitha materialet e aktuale ose potenciale shfajësuese aktuale brenda mbajtjes, kontrollit ose njohurive aktuale të ZPS-së;

iii) Dështoi të sigurohej që kishte marrë parasysh të gjitha provat relevante, duke përfshirë provat shfajësuese dhe si rrjedhim nuk arriti të sigurohej që procesi i gjykimit të mos ishte i mangët;

  1. iv) Dështoi të sigurohej që kishte marrë parasysh të gjitha provat relevante dhe në këtë mënyrë të sigurojë që provat të ishin vlerësuar në përputhje me Rregullën 139
  2. v) Pa paragjykuar sa më sipër, nuk arriti të sigurojë që ankuesi kishte marrë një gjykim të drejtë sipas nenit 6 të Konventës

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme