Google ADS

Rama: Rrisim me 7% pagat e pedagogëve, pjesën tjetër e vendos universiteti

14:09 | 5 Tetor 2022
Vjollca Gajraku

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për pedagogët do të ketë një rritje prej 7% të pagës, por pjesa tjetër do të lihet në vendimmarrjen e universiteteve, të cilat janë autonome.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Rama i ktheu përgjigje pedagogëve të cilët janë në protestë për rritjen e pagës.

“Nuk jeni as ushtarakë, nuk jeni as nëpunës civilë, nuk jeni as pensionistë jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë apo pension fiks, ndërkohë që pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme, midis mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ja bënë vetes rrogën edhe 2-fish, edhe 3-fish edhe 4-fish edhe 5-fish me fondet e tjera”, tha Rama.

Sipas tij, bëhet fjalë për fondet e vetëfinancimit, fondet evropiane dhe fondet e universiteteve të tjera private ku shkohet e bëhet mësim.

“Këtu ka një histori tjetër të pagave të deklaruara pjesërisht. Kemi paga që nuk përkojnë me të vërtetën. Kjo është temë tjetër. Sa shumë potencial ka universiteti. Këtu ka një fakt. Përpara se të futeshim në procesin e ndërkombëtarizimit dhe lidershipi i universitetit të Tiranës të ndryshonte, ne kishim 45 pedagogë që kishin pasur një akses në fondet europiane me projekte. Sot universiteti i Tiranës ka rreth 800 pedagogë, ku mbi 400 kanë financim ekstra te fondet e BE-së”, shtoi ai.

Kjo, sipas Ramës, “është falë profesionalizmit të tyre, eksperiencës dhe ndërkombëtarizimit të universiteteve”.

“Kemi bërë një kapërcim të madh. Mund të marrim shumë më tepër, por ama ishim të fundit në fund të pusit. Sot s’jemi te të parët, por jemi duke hedhur hapa, falë angazhimit të rektorëve. Ne do të bëjmë një rritje pagash të mërkurën kur është mbledhja e qeverisë, prej 7%, por ama do t’i njohim universitetit të drejtën e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vetë. Nuk mund të ketë një pagë për të gjithë njësoj. Nuk janë të gjithë njësoj. Universiteti është autonom. Zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme mes shtetit si mbështetës dhe tregut si ofertues”, tha ai.

“Kështu që për ta mbyllur këtë pjesë, nuk ka mundësi, është kundër sens, është antihistorike dhe është antilogjike dhe është komplet e papranueshme që të kërkohen opshe nga ky komunitet, flas për komunitetin universitar, nga qeveria gjëra të cilat duhet të jenë të ndara së bashku, se përndryshe për çfarë është autonomia? Për çfarë zgjidhje ju zgjidhni Bardhin dhe jo konkurrentët e tij? Për çfarë? Po të mos ishte autonomia, Bardhin nuk e zgjidhja unë se Bardhi është me PD-në, normal. Po unë bashkëpunoj me Bardhin shkëlqyeshëm se partitë i lëmë tek dera dhe këtu merremi me fidanët dhe me farat dhe me të ardhmen, apo jo? E sjell këtë shembull për të thënë pikërisht që ju vetëqeveriseni. Tani të jesh një komunitet që vetëqeverisesh e të thuash që “unë autonominë e dua për të mos dhënë asnjë llogari askujt, ama të gjitha të tjerat i dua nga ty o shtet e nga ty o qeveri”, kjo nuk bën sens. Nuk bën asnjë sens, është absurde dhe për më tepër të kërkohen sot qiqra në hell në raport me kohën që jetojmë. Këtu, në këtë universitet, kush investon sot në dije, i jep vetes mundësi që jo në Shqipëri, po në çdo vend të botës të jetë i vlefshëm për gjithë pjesën tjetër të jetës sepse bota nuk po shkon drejt lehtësimit, po shkon drejt dhimbjeve, lehtësimi do vijë më vonë. Kjo është e vërteta”, shtoi ai./atsh/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme