Google ADS

Këshilli i Prindërve bën thirrje: Në çdo shkollë të mblidhen fonde solidaritet për mësimdhënësit

13:09 | 5 Tetor 2022
L G

Këshilli i Prindërve i qëndron prapa deklaratës se nëse Qeveria e Kosovës nuk ua ekzekuton pagat mësimdhënësve për muajin shtator, ata do të  organizohen që në secilën shkollë të mblidhen fonde për mësimdhënësit.

Në një prononcim për arbresh.info, kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi tha se kërcënimi i mosdhënies së pagave për mësimdhënësit është akt shumë i rëndë dhe i paprecedentë deri tani.

“Ne mendojmë që greva e SBASHK, e plotë dhe e paaftë, është tërësisht e gabuar dhe e padrejtë. Ky veprim i SBASHK duhet trajtuar me legjislacion dhe greva e tillë duhet të mos lejohet në shkollimin fillor obligativ”, u shpreh Demi.

Ai thotë se kjo po ndodh pasi greva është ndaluar, derisa nuk harron të përmend se asnjë grupi tjetër sindikal nuk i është ndalur paga për grevë, përveç arsimit.

Kjo sipas tij, do të kishte efekte shumë të rënda dhe do të vendoste standarde tejet të rrezikshme në Kosovë, por edhe do t’i poshtëronte mësimdhënësit.

Demi pohon se si Këshill i Prindërve nuk janë dakord me veprimet e tilla të Qeverisë së Kosovës.

“Ne prindërit nuk jemi aspak dakord me veprime të tilla. Mësimdhënësit janë partnerët tanë më të afërt në procesin e kujdesit, edukimit dhe arsimit të fëmijëve tanë dhe do të tregojmë solidaritet të plotë ndaj akteve të padrejta dhe poshtëruese ndaj tyre”, shprehet Demi për arbresh.info.

Ai ka bërë thirrje që në çdo shkollë të mblidhen fonde solidaritet për mësimdhënësit.

“Nuk mund të pretendojmë të ketë drejtësi në një ambient ku lejojmë padrejtësinë dhe poshtërimin e palëve. Andaj kërkoj që nëse pagat nuk iu jepen mësimdhënësve në çdo shkollë të mblidhen fonde solidaritet për ta. Kuptohet që në këtë grup duhet të përfshihen edhe stafi menaxherial e teknik”, përfundoi ai.

Në anën tjetër në një intervistë për arbresh.info, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, thotë se janë ndjerë të tradhtuar nga  Këshilli i Prindërve, pasi kur i kanë lutur për t’iu bashkangjitur protestës së 8 prillit, ata nuk janë përgjigjur.

“Ne kemi pasur takime me ta dhe i kemi lut vazhdimisht që kur të bëjmë protesta të jenë me ne, por jemi zhgënjyer dhe disi jemi ndjerë të tradhtuar sepse as në protestën e 8 prillit e as në atë të 20 majit, ishin vetëm pjesërisht pjesëmarrës. Asnjëri nga ta nuk pranoi që t’i thotë dy fjalë , dy mesazhe drejtuar qeverisë me lutjen që të na i realizojë kërkesat”, është shprehur Jasharaj.

Rreth iniciativës që ata si Këshill i Prindërve thonë se do ta marrin, Jasharaj  nuk ka aspak shpresë, duke shtuar se ishin vet Këshilli i Prindërve ata që para disa ditësh  kërcënonin se do t’i çregjistronin nxënësit dhe nuk ishin korrekt me mësuesit.

Kryetari i SBASHK-ut, thotë se mësimdhënësit e Kosovës që i përkasin kohës së pas luftës nuk duan lëmoshë, ata duan pagën e vet sepse ky buxhet është marrë nga tatimet e tyre.

“Kemi përvojë nga e kaluara kur një prind i jep 20 euro dhe shkon çdo ditë në shkolla dhe thotë se unë ju a kam dhënë juve 20 euro dhe kërkon që të i vendoset notë e mirë fëmijës, nuk e duam këtë lloj lëmoshe”, përfundoi Jasharaj.

Ndryshe, të mërkurën ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është pyetur sërish nëse do të ekzekutohen parat e shtatorit për mësimdhënësit, ndërsa përgjigja e tij ka qenë e njëjtë.

“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë shkurt Murati/Kujtesë Berisha/arbresh.info/

 

 

Të ngjashme