Kurti edhe një mandat në krye të LVV’së| Si do të ishte Vetëvendosje pa Albin Kurtin?

09:11 | 1 Tetor 2022
A. B.

Lëvizja Vetëvendosje veçse ka përfunduar një pjesë të madhe të zgjedhjeve të brendshme, ku aty përfshihet pozita kryesore, ajo e kryetarit.

Në zgjedhjet nëpër degët e kësaj partie u votua njëjtë si para katër viteve, në vitin 2018. Pra, opsioni i parë dhe i vetëm ishte kryetari i saj i mëhershëm, aktual dhe i së ardhmes (të paktën 4-vjeçare), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Si kandidat i vetëm, ai fitoi zgjedhjet brenda partiake me rezultat të ‘frikshëm’, me 98.6% të votave, të cilat ishin pro tij, ndërsa, vetëm 1.4% ishin kundër apo abstenuan për Kurtin kryetar.

Për shumë persona kjo konsiderohet si fuqi absolute e Kurtit në këtë parti, ndërsa, dikush e sheh si shkelje të demokracisë dhe mbyllje e ‘rrugës’ për të tjerët të interesuar për të dalë në krye të VV-së.

Për profesorin universitar, Mazllum Baraliu, do të ishte më mirë që të kishte edhe një kandidat tjetër në këtë garë dhe kështu, do të ishte gara më serioze dhe demokratike.

Baraliu, në një prononcim për arbresh.info tha se kandidimi i vetëm dhe mos-tërheqja e Kurtit ka mundur të ndodhë me qëllim për të mos shkaktuar përçarje përbrenda partisë dhe rezultati i lartë ka ardhur si pasojë e figurës dhe reputacionit të madh që Kurti ka brenda VV-së.

“Në radhë të parë, më mirë do të ishte të kishte më shumë kandidatura, jo sa për reklamë apo formalisht, por të kishte kandidatë që kanë pedigre apo kontribut në parti, të cilën garën do ta bënin serioze dhe konkurrencën do ta bënin pjesë të garës, kjo nuk ka ndodhur as në garën për kryetar e as në garën për kryetare të gruas. Kjo nuk ka të bëjë me frikën ndaj konkurrencës brenda partiake, sepse Kryeministri është lider i pakontestueshëm në këtë parti, por do të ishte më demokratike nëse do të kishte pasur kundër kandidat.”

“Sa i përket rezultatit, kjo përqindje dëshmon se Kurti është një lider i pakontestueshëm i VV-së, madje edhe në cilësinë e kryeministrit,  kur mund të konsumohen vlerësimet për një lider partie.”

“Po të mos konkurronte Kurti ose të kishte kundër kandidat, mbase ekziston frika që nga brenda ka lëkundje tektonike, dhe kështu kanë vendosur alternativën e një kandidati në mënyrë që të ruajnë imazhin e partisë dhe të liderit, përndryshe është evidente se ai ka autoritet, prestigj, reputacion dhe nga këto rrjedh edhe përqindja e lartë e rezultatit”, u prononcua Baraliu për arbresh.info.

Ndërsa, për gazetarin Ridvan Berisha, ky Kuvend Zgjedhor i VV-së lë një shije të keqe dhe jodemokratike, gjithashtu, përmendi edhe pakënaqësitë brenda vetë këtij subjekti.

“Ka edhe shumë zëra kritik brenda VV-së se Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie i ka dëshpëruar tej mase, deri në ato përmasa ku të njëjtit e kanë quajtur kuvend jodemokratik. Kemi parë edhe figura të rëndësishme të VV-së, siç është Kryetari i Kuvendit dhe figura të tjera të cilët kanë thënë se ky është një kuvend jodemokratik dhe Kurtin e ka kërkuar vetë anëtarësia që ai të rizgjidhet kryetar dhe të jetë kandidat i vetëm. Gjithsesi, kjo nuk lë shije të mirë apo impresive për pluralizmin politik kosovar, pra, për garën e brendshme. Kjo tregon se Albin Kurti dhe LVV nuk shkojnë ndaras”, deklaroi Berisha për arbresh.info.

Analisti Mazllum Baraliu, tha se edhe pa liderin e saj, Albin Kurtin, VV mund të mbijetojë në skenën politike, pavarësisht se nuk do ta ketë fuqinë e njëjtë.

“Partia si e tillë, me apo pa Albin Kurtin, nuk rrezikohet që të bie në margjinat e historisë apo politikës, ajo do të jetë edhe për një kohë faktor i rëndësishëm në skenën politike dhe institucionale të Kosovës. Me Kurtin sigurisht se VV do të jetë më e fortë sepse ai është lider i pakontestueshëm dhe të qenit e tij në krye të partisë, e mban edhe më fuqishëm timonin e partisë dhe e ruan rejtingun e saj, pa marrë parasysh amplitudat apo baticat dhe zbaticat që mund t’i ketë”, përfundoi Baraliu për arbresh.info.

Për Ridvan Berishën, në këto zgjedhje asgjë e paparashikueshme nuk ka ndodhur sepse funksionimi i VV-së pa Albin Kurtin është i pamundur dhe ‘ligjërim utopik’. Ndërsa, përmendi se VV nuk e ka kaluar ende tranzicionin e lëvizjes lideriste, që veçse partitë tjera kanë filluar ta kalojnë.

“Asgjë e paparashikueshme nuk ka ndodhur, sepse ne e dimë mirë që VV dhe Kurti janë aq të lidhura me njëra-tjetrën saqë po u largua Kurti ne menjëherë do të shohim një dekompozim total të LVV-së. Ky është edhe një mesazh për partitë tjera të cilat pothuajse e kanë kaluar pragun e një transformimi me ambicien që të promovojnë një ndryshim reformash në mënyrë që këto reforma të kthehen në shpresë për fitore. Thënë shkurt; Lëvizja Vetëvendosje u kthye te rrënjët e saj, u kthye te lideri i saj, pa të cilin ekzistenca e saj në skenën politike kosovare do të ishte vetëm ligjërim utopik e jo realitet”, deklaroi Berisha për arbresh.info.

Zgjedhjet e brendshme ishin arsyeja kryesore që VV-ja u shpërbë para katër viteve, kur një grup i madh i deputetëve, anëtarëve dhe aktivistëve u larguan nga kjo parti për shkak të pakënaqësive që kishin me procesin zgjedhor, pakënaqësi të cilat ishin të bazuara pikërisht në kandidimin e Albin Kurtit në pozitën e kryetarit.

Të pakënaqurit iu bashkuan Partisë Socialdemokrate, dhe aktivitetin e saj e ushtron në kuadër të opozitës, jashtë Parlamentit të Kosovës./EmirAbduramani/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme