Google ADS

Një muaj grevë/ A do paguhen mësimdhënësit për muajin shtator?

08:10 | 1 Tetor 2022
A. B.

Plotë një muaj të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nuk mbajtën asnjë ditë mësim, përjashtim disa shkolla në disa qytete që vendosen të ndërprerjen grevën.

Sot pritet të publikohet vendimi përfundimtar për ndërprerjen ose vazhdimin e grevës, të nisur tash e një muaj.

Megjithatë ende është e paqartë nëse mësimdhënësit kosovarë do të paguhen për muajin shtator, ndonëse mësimi nuk është mbajtur, raporton arbresh.info.

Të premten pas raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës,  ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nuk dha përgjigje të sakë nëse mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë të komunave, do t’iu dalin rrogat për muajin shtator, të cilin e kaluan në grevë.

“Do të veprojmë siç e parasheh ligji”, ka qenë përgjigja e vetme e Muratit rreth kësaj çështje, duke refuzuar  të deklarojë diçka më shumë.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për arbrersh.info thotë se gjitha komunat veç e veç kanë nisur listat te Qeveria e Kosovës për gjithë punëtorëve të sektorit publik.

Sipas tij, qeveria ka për detyrë që t’ua ekzekutojë pagat të gjithë punëtorëve të sektorit publik, bazuar në listat që i kanë dërguar komunat, si kompetencë ekskluzive e tyre.

“Kompetencat janë të ndara sa i përket çështjes së pagave. Kompetencë e komunave është dorëzimi i listave të punëtorëve në nivelin qendror, ndërsa kompetencë e nivelit qendror është ekzekutimi i pagave bazuar në listat që i dërgohen nga komunat e Republikës së Kosovës” , u shpreh Ibrahimi për arbresh.info.

Ibrahimi deklaron se ekzekutivi nuk ka rrugë tjetër për të siguruar informatat e të gjithë punëtorëve të sektorit publik, përpos listave të komunave.

“Komunat e kanë përmbushur obligimin ligjor, i kanë dërguar listat më 10 shtator në nivelin qendror për pagat e shtatorit, e tani niveli qendror duhet t’i ekzekutojë bazuar në ato lista. Nuk mund ta di a i kanë dorëzuar ashtu siç i kanë kërkuar, por e di që listat janë dërguar dhe ato duhet të ekzekutohen” tha ai.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se pret që Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Financave t’i ekzekutojë pagat nga listat e dërguara të komunave.

“Qysh mundet niveli qendror me ekzekutu diçka tjetër nëse komuna nuk ia ka dhanë ato shënime. Në bazë të listave që i dorëzohen, ekzekutohen edhe pagat. Niveli qendror nuk mundet me marrë lista tjera, sepse nuk ka burime tjera të informatës, komuna ia qet vulën edhe ja jep listat qeverisë, e cila i ekzekuton ato, ashtu siç ka qenë deri më tash. Ne nuk presim që niveli qendror nuk i ekzekuton pagat nga listat e komunave, sepse ato janë zyrtare” , thekson Ibrahimi për arbresh.info.

Ai pohon se vitin e ardhshëm realizohet auditimi, krejt kjo sipas tij nëse do të ishte kërkesë nga ministri i Financave, Hekuran Murati dëshiron.

 

Limani: Mosekzekutimi i pagave do të ishte i papërballueshëm për mësimdhënësit 

 

Njohës të çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se mosekzekutimi i pagave për shkak të grevës, do ishte i papërballueshëm për mësimdhënësit.

Ekonomisti Musa Limani, për arbresh.info tha se në rast të mosekzekutimit të pagave për muajin shtator, për mësimdhënësit ta do të ishte shumë e rëndë që të përballen me jetën.

Sipas tij, mosekzekutimi i pagave nga Qeveria e Kosovës do t’ua bënte të vështirë  mësimdhënësve daljen deri në fund të muajit.

“Mosekzekutimi i pagave i dëmton normalisht, ata të cilët kanë qenë në grevë dhe nuk e marrin një pagë mujore është me të vërtetë goditje e rëndë ndaj të gjithë arsimtarëve që punojnë dhe po luftojnë për atë pagë. Dhe në rast të mosekzekutimit të këtyre pagave, për ta do të jetë shumë e rëndë që ta përballojnë dhe ta kalojnë muajin bashkë me obligimet që ai sjell”, u shpreh Limani për arbresh.info.

Derisa mësimi pritet të fillojë të hënën pasi që kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha të mërkurën se greva pritet të pezullohet “për hir të fëmijëve”.

Për këtë, ai ka vendosur që t’i pyet anëtarësinë e SBAShK-ut dhe BSPK-së, ku këto ditë po votohet nëpër të gjitha shkollat e vendit për fillimin e mësimit apo vazhdimin e grevës deri sa t’u plotësohen kërkesat e tyre për rritjen e pagës nga 100 euro për të gjithë mësimdhënësit në çdo nivel të arsimit parauniversitar.

Arbresh.info është munduar të kontaktojë edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, por ata kanë qenë të pa qasshëm.

Meqë ‘sagës’ së grevave duket se po i vije fundi, të paktën në këtë moment, mbetet të shihet nëse në janarin e vitit 2023 SBAShK-u do të rikthehet me kërkesat e tyre, të cilat janë të paralajmëruara që nga muaji prill.

Ndryshe, Ministria e Financave, gjatë fundit të muajit gusht kishte kërkuar nga gjitha komunat e vendit që t’ua dërgojnë atyre listat me emrat e grevistëve, në mënyrë që të mos u ekzekutoheshin pagat e muajit gusht të gjithë atyre që iu përgjigjën pozitivisht grevës së thirrur nga SBAShK-u në krye me Rrahman Jasharajn.

Madje, edhe kryeministri Kurti doli dhe tha se nuk mund të merr pagë ai që nuk del në punë.

Gjithsesi, mosekzekutimi i pagave nuk u arrit dhe ndonëse disa ditë me vonesë, të gjithë mësimdhënësit dhe të tjerët që ishin në grevë i morën pagat më së largu në datën 10 shtator./ arbresh.info/ ./EmirAbduramani/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme