Google ADS

A po përfshihet edhe Shqipëria në dialogun Kosovë-Serbi?

08:53 | 24 Shtator 2022
L G

Të martën më 20 shtator, në samitin e organizuar nga Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josepp Borrell, morën pjesë krerë të shteteve nga e gjithë Evropa, ndër ta dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky samit u organizua në Nju Jork, pra, në prezencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Aty u diskutua për sanksionet e BE ndaj Rusisë, bashkëpunimin e të gjitha vendeve anëtare dhe për integrimin e vendeve që nuk janë pjesë e BE, në theks të veçantë, shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Aty mori pjesë edhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili, u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, javën e kaluar në Prishtinë.

Gjithsesi, është normale që Lajçak të bisedojë me krerët e Kosovës dhe Serbisë, sepse në fund të fundit, dialogu po zhvillohet ndërmjet tyre.

Ajo që morri vëmendje në Nju Jork, ishte takimi i Lajçak me Edi Ramën, pikërisht në këtë kohë kur bisedimet Kosovë-Serbi po hyjnë në një fazë mjaft të rëndësishme dhe të ‘nxehtë’.

Nuk është dhënë një konfirmim zyrtar i asaj se çka është biseduar në atë takim.

Përveç ndihmës që Shqipëria mund të ofrojë, nuk dihet nëse është synuar që edhe Shqipëria të përfshihet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo shtron edhe një tjetër hipotezë, që dialogu ndoshta është duke shkuar në fazën finale.

Për analistin Fatmir Sheholli, të gjithë emisarët ndërkombëtarë bisedojnë gjithmonë me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, andaj, takimi Lajçak-Rama nuk është befasi dhe nuk paraqet asnjë problem për Kosovën.

“Lajçak dhe emisarët tjerë ndërkombëtarë vazhdimisht komunikojnë me të gjithë faktorët relevant politik të Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt edhe takimi me kryeministrin Rama përdoret për shkëmbim idesh për të mirë të rajonit. Nuk paraqet kurrfarë befasie dhe nuk mund të jetë problem për Kosovën”, tha Sheholli për arbresh.info.

Në një bisedë për redaksinë tonë, Sheholli deklaroi se Kryeministri i Kosovës nuk ka vullnet që të angazhojë figura të tjera politike në dialog, dhe sipas tij, vetë rrëzimi i raportit të Dik Martit në Kuvendin e Shqipërisë, dhe rezoluta e dërguar në Këshill të Evropës nga ana e tyre, tregon se Shqipëria po e ndihmon Kosovën në dialogun Kosovë-Serbi.

“Konsideroj që kryeministri i Kosovës Albin Kurti disi sikur nuk dëshiron të angazhoi figura politike të rëndësishme në dialog me Serbinë. Andaj Shqipëria ka bërë mjaft shumë me vet rezolutën në Këshill të Evropës për rrëzimin e pretendimeve të Dik Martit”,deklaroi Sheholli për arbresh.info.

Sa i përket raportit të Dik Martit, Shqipëria në korrik ka dorëzuar në Këshill të Evropës rezolutën e votuar në Kuvendin e saj, e cila ishte kundër raportit të Martit me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”, ku ish-deputeti zviceran flet për krime lufte të ndërmarra nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç dihet, nga ky raport i tij, e ka edhe origjinën Gjykata Speciale, në të cilën, ka dy vite që po mbahen në Hagë po ata krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë, ndër vite janë hedhur mjaft akuza ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se po ia mban anën Serbisë, akuza të cilat ishin të bazuara në takimet e shpeshta Rama-Vuçiq në kuadër të projektit Ballkani i Hapur, në të cilën iniciativë refuzoi të hynte Kosova.

Megjithatë, kohët në vazhdim do të shihet më qartë rezultati i këtij takimi Rama-Lajçak, dhe kontributin që mund ta ketë në dialog./Emir Abduramani/arbresh.info/

Të ngjashme