Presidenti Joe Biden do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork të mërkurën në mëngjes, ku do të nënvizojë përpjekjet e SHBA për të forcuar sigurinë globale të ushqimit, për të rifuqizuar Fondin Global për të luftuar SIDA-n dhe pandemitë e tjera, për të trajtuar çështjet e zinxhirit të furnizimit dhe krizën klimatike.
Në fjalimin e tij, presidenti Biden do të theksojë agresionin e Rusisë në Ukrainë, u tha gazetarëve të martën këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.
“Ai do të ofrojë një kritikë të fortë për luftën e padrejtë të Rusisë në Ukrainë dhe do t’i bëjë thirrje botës që të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar kundër agresionit të hapur që kemi parë këto muajt e fundit”, tha zoti Sullivan. “Ai do të nënvizojë rëndësinë e forcimit të Kombeve të Bashkuara dhe do të riafirmojë parimet thelbësore të kartës së saj në një kohë kur një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit ka shkelur thelbin e Kartës duke sfiduar parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit”.
Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës, zoti Sullivan tha se presidenti Biden do të “flas në mënyrë thelbësore” për çështjen e reformimit të Këshillit të Sigurimit, ku Rusia është një anëtare e përhershme.
“Pavarësisht nëse ai e bën këtë publikisht ose nëse komunikon privatisht me sekretarin e Përgjithshëm dhe të tjerët, ne jemi ende sot duke punuar”, tha zoti Sullivan.
Të premten, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se ndërsa udhëheqësit nuk do ta injorojnë Ukrainën, takimi nuk do të mbizotërohet nga kjo çështje.
“E dimë se ndërsa kjo luftë e tmerrshme zhvillohet në të gjithë Ukrainën, ne nuk mund të injorojmë pjesën tjetër të botës. Ka konflikte që ndodhin gjetkë”, u tha ajo gazetarëve.
Ambasadorja Greenfield parashtroi tre përparësitë e SHBA-ve për Asamblenë e Përgjithshme: zgjidhjen e pasigurisë ushqimore globale; përmirësimin e shëndetit global dhe sigurisë globale shëndetësore; mbështjetja e Kartës së OKB-së dhe rihartimi i të ardhmes së Kombeve të Bashkuara.
“Ne besojmë se ky është një moment për të mbrojtur Kombet e Bashkuara dhe për t’i demonstruar botës se ajo ende mund të përballojë sfidat më urgjente globale të botës”, tha ambasadorja.
Vëzhguesit thonë se zoti Biden do të kërkojë të balancojë interesat e SHBA-së dhe aleatëve evropianë për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë, me problemet e panumërta me të cilat përballet pjesa tjetër e botës.
“SHBA dhe aleatët e saj do të përpiqen të bindin vendet joperëndimore se ndërsa ka një përqëndrim shumë të fuqishëm në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, Perëndimi gjithashtu kujdeset për krizën globale të ushqimit që po shkakton një recesion global, dhe çfarë do t’i sjellë kjo botës në zhvillim”, i tha Zërit të Amerikës Richard Gowan, drejtor i OKB-së në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Zoti Gowan tha se gjatë fazës së hershme të pushtimit rus të Ukrainës, diplomatët perëndimorë kërkuan mbështetje për Ukrainën nga homologët e tyre afrikanë dhe aziatikë, por nuk dëgjuan shqetësimet e tyre për sigurinë ushqimore dhe goditjet ekonomike të lidhura me këtë luftë.
“Tani, SHBA-të dhe evropianët po përpiqen me të vërtetë të dërgojnë mesazhin se janë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve ekonomike të botës në zhvillim dhe se do të punojnë për të zgjidhur këto shqetësime”, tha ai.
Siguria e ushqimit dhe shëndetit
Që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, eksportet e ushqimit dhe plehrave kimike nga rajoni janë ndërprerë, duke i rritur edhe më shumë çmimet e ushqimeve pas pandemisë. Sipas Programit Botëror të Ushqimit, rreth 828 milionë njerëz shkojnë në shtrat të uritur çdo natë.
Bota tani nuk është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e OKB-së për të eleminuar urinë deri në vitin 2030, tha Rob Vos, ekonomist në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Politikave Ushqimore.
“Ne duhet të investojmë shumë më tepër veçanërisht në sistemet e bujqësisë dhe ushqimit, për të ndryshuar sistemet ushqimore në mënyrë që ato të bëhen më gjithëpërfshirëse, që njerëzit e varfër të mund të marrin më shumë përfitime prej tij, që çmimet e ushqimeve të qëndrojnë të ulëta në mënyrë që ato të jenë të përballueshme dhe që ai prodhim të bëhet më elastik dhe i qëndrueshëm,” tha zoti Vos për Zërin e Amerikës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të bashkëorganizojë një samit të sigurisë ushqimore në rrethinat e Asamblesë së Përgjithshme të martën. Të mërkurën, Presidenti Biden do të drejtojë një konferencë mbi Fondin Global për Luftën kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malaries. SHBA-ja ka dhënë 2 miliardë dollarë nga 6 miliardë dollarët e angazhuar, për të përmbushur 18 miliardë dollarët e nevojshëm në nivel global.
“Siç na kujtoi COVID-19, kërcënimet globale të shëndetit nuk njohin kufijë. Ne duhet të trajtojmë COVID-19, linë e majmunëve dhe shpërthime të tjera dhe duhet t‘i luftojmë ato së bashku”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
Reforma në Këshillin e Sigurimit
SHBA do të kërkojë të shtyjë përpjekjet për të reformuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSOKB), duke përfshirë “krijimin e konsensusit rreth propozimeve të ndjeshme dhe të besueshme për të zgjeruar anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
KS i OKB-së përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje – Kina, Franca, Rusia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, dhe 10 anëtarë jo të përhershëm të zgjedhur nga OKB-ja.
Ndërsa reforma e KS të OKB-së është një temë e përsëritur prej dekadash në organizmin botëror, SHBA-ja vetëm kohët e fundit ka thënë se dëshiron të punojë për të, tha zoti Gowan.
“Nuk mendoj se administrata Biden ka një plan shumë të qartë se çfarë lloj reformash do të dëshironte të shihte në Kartën e OKB-së”, tha zoti Gowan. “Por që nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt, shumë diplomatë në Nju Jork kanë ngritur pyetjen nëse kjo organizatë është e përshtatshme për të arritur. qëllimin e saj dhe SHBA-të po i përgjigjen këtij mendimi të përgjithshëm se ka nevojë për disa reforma në OKB në dritën e këtij konflikti”.
Zoti Gowan shtoi se duke treguar se është e hapur ndaj reformave, administrata Biden mund të ballafaqohet me Kinën dhe Rusinë duke theksuar hezitimin e tyre për të reformuar këshillin ku ata kanë të drejtën e vetos ndaj vendimeve të rëndësishme për sigurinë globale.
Ambasadorja Thomas-Greenfield vuri në dukje se SHBA është përmbajtur dhe do të vazhdojë të përmbahet nga përdorimi i të drejtës së vetos, përveçse në rrethana “të rralla, të jashtëzakonshme”. “Që nga viti 2009, Rusia ka vënë 26 veto, 12 prej të cilave kanë qënë së bashku me Kinën, dhe SHBA-ja e ka përdorur veton vetëm katër herë që nga viti 2009,” tha ajo.
Ajo tha se presidenti Biden do të konsultohet me udhëheqës të tjerë gjatë seancës së nivelit të lartë të asamblesë për të arritur konsensus për zgjerimin e Këshillit.
Vëzhguesit thonë se perspektivat e reformës së OKB-së janë të zbehta. Një pikë kyçe e mosmarrëveshjes është nëse duhet të krijohen vende të reja të përhershme dhe nëse ato duhet të kenë të drejtën e vetos. Propozimet janë në diskutim për krijimin e një kategorie të re anëtarësh të përhershëm pa të drejtë vetoje. /voa
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...
Xheneta – Lelës: Anisa u ka treguar Edit dhe Drilonit për rr...
Kurti pret në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së
Shtyrje dhe rrahje mes deputetëve në Parlamentin serb
Peci dorëzohet para presionit publik: Anulon grantet për kës...