Haziri: Avaritë që kanë dalë në komunën e Gjilanit janë shqetësuese për stabilitetin e politikat zhvillimore

16:23 | 17 Shtator 2022
E.H

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, pas takimit të Kryesisë, ka mbajtur sot konferencë për media së bashku me Grupin e Këshilltarëve në Kuvendit Komunal.

Në këtë konferencë ai ka bërë të ditur se përgatitjet dhe angazhimet për Konventën programore të partisë, e cila do të mbahet më 24 shtator, në fokus do ta ketë opozitarizmin dhe rolin e LDK-së në këtë fazë politike.

Haziri tha se konventa programore e Degës së LDK-së në Gjilan, e cila do të mbahet më 24 shtator, pritet të zbardhë hapat e mëtutjeshëm opozitar në Komunë dhe politikat sektoriale, bashkëbisedimi me qytetarët, grupet e interesit, shoqërinë civile e mediat, në interes të zhvillimit të komunës sonë.

“Ajo që ne kemi në fokus të debatit është gjendja në Kuvendin Komunal. Humbja e shumicës politike e ndërtuar me rastin e zgjedhjes së ekzekutivit të ri, tashmë në Gjilan është faktuar. Partia në pushtet bashkë me partitë e koalicionit kanë ndërtuar një shumicë artificiale e cila nuk po funksionon. Avaritë që kanë dal në Kuvendin Komunal janë shqetësuese për stabilitetin politik në komunën tonë dhe shqetësuese për politikat zhvillimore, të cilat kanë mbetur peng i zhvillimit për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike. Ne thërrasim për stabilitet politik, ku roli jonë si parti e parë dhe më e madhja në Gjilan ka me qenë gjithmonë në funksion të zhvillimit. Por, ne nuk mund të marrim pjesë në kazanin e zierjes së shumicave artificiale”, ka thënë Haziri.

Ai më tej theksoi se përmes Komitetit për Politikë dhe Financa dhe përmes Grupit të Këshilltarëve të LDK-së kanë bërë thirrje që kalendari i rregullt i punës së Komiteteve të aktivizohet pasi komuna nuk ka kalendar të rregullt të politikave sektoriale në komitetet e Kuvendit Komunal.

“Është shqetësues fakti që asnjë investim i ri brenda dhjetë muajve nuk ka ndodhur deri sot në Gjilan nga kjo administratë. Përkundrazi, kanë ndërprerë kontrata si puna e Stadiumit, mos miratim të planit detaj të propozuar nga konsesionerët e Hidomoravës e që lidhet me pusetat në shtrirjen e rrjetit të ri të kolektorit të ujërave të zeza, mos ndarja e mjeteve të shpronësimit, pastaj ndërhyrje në Komisione profesionale e nepotizëm të theksuar në punësim etj. Krejt kjo avari e Kuvendit Komunal është reflektim i mospunës në ekzekutiv.Ky vit është i humbur, por mund të jetë determinues a do të jetë mandat i humbur për Gjilanin. Interesi ynë është që ky vit i humbur të kompensohet me bashkëpunim e aktivizëm, duke u bazuar në rregullore dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale”, tha Haziri./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme