Google ADS

Përgatitjet për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi| A do të formohet Asociacioni i Komunave Serbe?

09:06 | 16 Shtator 2022
L G

Nënshkrimi për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë u hodh hiç më pak se shtatë vite më parë, mirëpo implementimi i kësaj marrëveshje nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk pritet të ndodhë derisa nuk diskutohet njohja reciproke Kosovë-Serbi, vlerësojnë ekspertët.

Pavarësisht kësaj Kuvendi i Serbisë miratoi mëngjesin e së enjtes raportin për dialogun me Kosovën që liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.

Qeveria aktuale në Kosovë nuk ka gjasa ta vë në funksion Asociacionin, thotë njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu për arbresh.info, duke shtuar se kjo marrëveshje e cenon Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës.

“Me këto përcaktime të kësaj Qeverie dhe me qëndrimet që ka ajo nuk ka gjasa, nuk është e pranueshme. Por un do të thoja që pavarësisht qëndrimit të saj, thjesht bazuar në faktin madje edhe përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, meqë ato dy marrëveshjet për Asociacionin cenojnë rëndë Kushtetutën dhe sovranitetit e vendit edhe vë në pikëpyetje stabilitetin dhe funksionalitetin madje edhe qëndrueshmërinë e shtetit, thjeshtë është diçka e papranueshme”, deklaroi Baraliu.

Sipas, Baraliut, për ta zbatuar Asociacionin njëherë Serbia duhet ta njeh Kosovën dhe të normalizohen marrëdhëniet.

“Serbia njëherë duhet ta njoh Kosovën dhe pastaj të bisedohet për çka do qoftë në mënyrë të normalizohen marrëdhëniet dhe të krijohet mirëbesimi mes dy shteteve”, shtoi ai.

Tutje, Baraliu bëri të ditur se Presidenti Serb është betuar me Kushtetutë që nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, dhe se asociacioni do ta vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës.

“Me e dëgju Vuçiqin në Parlamentin serb, thotë se kurrë nuk do ta njoh Kosovën dhe jam betuar me kushtetutë që kurrë nuk do ta njoh në asnjë mënyrë, nuk vjen në shprehje, ne jemi të fortë qëndrojmë në këmbë dhe çdo gjë, me fjalë të tjera as nuk ndjen për Evropë as për Amerikë. Por thjeshtë nuk do prandaj është iluzore të bisedohet për asociacionin i cili në fakt do ta venet në pikëpyetje shtetin e Kosovës, pavarësisht qëndrimin e kësaj qeverie apo cilësdo qeveri”, tha në fund Baraliu duke shtuar se “Asociacioni është gabim i mëhershëm dhe nuk bënë të përsëritet”.

Analistja politike, Ardiana Thaçi për arbresh.info deklaroi se zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit nuk mund të ndodh tani sepse nuk është duke u respektuar marrëveshja për dokumente.

“Tu e marrë për bazë faktin që nuk është duke u respektuar ashtu siç është marrë vesh puna e dokumenteve, fakti se shumë pak njerëz i kanë përkthyer tabelat, gjasat për me arrit një marrëveshje për shkak të asociacionit mund të janë të vogla”, tha Thaçi.

Mirëpo, sipas Thaçit, Asociacioni do të ndodhë gjithsesi sepse kanë gisht edhe bashkësia ndërkombëtare edhe amerika.

“Megjithatë, marrëveshja nuk ka qare pa u bo, do të duhet të bëhet, sepse është një marrëveshje të cilën kanë dhënë zotimin edhe bashkësia ndërkombëtare, ka ndërhyrë edhe Amerika në këtë çështje, d.m.th. janë të mbuluara të dy palët, atëherë marrëveshja do të duhej të bëhet”, potencoi Thaçi për arbresh.info.

Tutje, Thaçi shtoi se Kryeministri do ta gjejë një mënyrë që ta prezantojë, siç e ka deklaruar më herët sepse retorika e Kurtit është populiste.

“Unë mendoj, që Kurti do ta gjejë një mënyrë që ta bëjë asociacionin. Dhe ashtu siç e kanë deklaruar edhe më herët. Me vetë faktin që retorika e Kurtit është populiste ai do ta gjejë një mënyrë që Asociacionin ta prezantoj të atillë që të mos konsiderohet që është i ndryshëm me atë që kanë pretenduar ta bëjnë kryeministrat e ardhshëm, do të thotë do të jetë çështje retorike por jo çështje praktike.”, tha ajo.

Në fund, Thaçi tha se Asociacioni duhet të bëhet ashtu siç është planifikuar dhe nuk do të ketë një pushtet të dytë brenda Kosovës.

“Mendoj se Asociacioni duhet të bëhet ashtu siç është planifikuar si në fillim. Por mendoj që nuk  do të jetë një pushtet i dytë brenda Kosovës”, tha në fund Thaçi.

Çështja e Asociacionit u dakordua mes Kosovës e Serbisë në vitin 2013 ndërsa u nënshkrua në vitin 2015, që i mundësonte komunave serbe të Kosovës të lidheshin në një formacion politiko-ekonomik të përbashkët, si mekanizëm i ri brenda sistemit politik të Kosovës, por si duket kjo mori fund me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Kjo pasi Asociacioni ka prodhuar një nga kundërshtimet më të ashpra politike që nga paslufta.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti thotë se Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike.

Autoritetet e Kosovës thonë se Asociacioni do të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por pas arritjes së një marrëveshjeje finale me njohje të ndërsjellë me Serbinë.

Megjithatë autoritetet në Serbi insistojnë që Asociacioni të ndodh menjëherë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë./arbresh.info/Ejona Hyseni/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme