Google ADS

Flasin ekspertët| Si ndikon greva në psikologjinë e fëmijëve?

08:13 | 16 Shtator 2022
L G

Nxënësit e shkollave të Kosovës mbyllën edhe javën e dytë pa mbajtur as edhe një orë mësimi, kjo si pasojë e grevës e cila po mbahet në Kosovë.

Greva ndikon në indiferencë ndaj njeri-tjetrit dhe humb seriozitetin mbi institucionin shkollor vlerësojnë ekspertët.

Psikologu Rron Kastrati, thotë se ndërprerja e procesit mësimor te nxënësit dëmton aftësinë sociale dhe po ashtu ul nivelin në sjellje.

“Fëmijët kur e kuptojnë se nuk kanë mësim bien rëndësia themelore e mësimit dhe shtohet sjellja e llastuar po ashtu ndryshohet sensi për të përvetësuar njohurit, dhe me këtë shtohet niveli i lartë arsimimit jo të mirëfilltë në institucionet tona”, vlerëson Kastrati.

Në një prononcim për arbresh.info, ai shton se në mungesë të mësimit fëmijët do të kenë pengesa në jetën e tyre zhvillimore sepse arsimimi rrit efikasitetin e vetëkontrollit, vetëvlerësimit dhe njëkohësisht shton motivacionin për dije të reja.

“Kurse sot fëmijët nuk i marrin këto njohuri dhe si rrjedhoje pastaj, pasojat janë të mëdha ku mund të rritet shkalla e naivitetit ose analfabetizmit. Mësimi duhet të fillojë, dhe mësimdhënësit të organizojnë orët e tyre dhe të shtojnë dyfish me shumë motivin. Të ketë një mësimdhënie të efektshme dhe kjo do t’i ndihmoj fëmijët të zhvillohen”, deklaron Kastrati

Për sociologun, Shaip Hasani, është e tmerrshme humbja e procesit mësimor.

“Kjo që po ndodhë është e tmerrshme, bashkë fajtorë janë që të dyja palët. Qeveria edhe SBASHK-u për shkak të inateve dhe raporteve njëri me tjetrin, fëmijët sot pësojnë. është e turpshme, e pa pjekur, dhe e pa tolerueshme nga të dyja palët që për çështje minore humbin mijëra orë mësimore duke e ngritur njëri-tjetrin mundohen që të bëhen më papë se papa, kjo është tmerr, papjekuri, është turp, papërgjegjësi”, vlerëson sociologu Shaip Hasani.

Kujtojmë se greva në arsim ka nisur që nga 25 gushti dhe grevistës filluan dialogun me qeverinë gjatë kësaj jave, por deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme.

Mësimdhënësit duan pagë shtesë prej 100 eurove, deri në miratimin e Ligjit për paga në sektorin publik, ndërsa qeveria përmes një pakoje për mbështetjen e qytetarëve, për të gjithë zyrtarët publik do të ndajë nga 50 euro shtesë në paga nga ky muaj./Vjollca Gajraku/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme