Google ADS

Konjufca: Luftimi i pabarazisë gjinore duhet të bëhet nga gratë dhe burrat

21:23 | 15 Shtator 2022
L G

Në kuadër të aktivitetit vjetor Java e Gruas, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, u mbajt konferenca përmbyllëse “Në mbrojtje të demokracisë – gjithëpërfshirja ka rëndësi”, organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).

Në këtë konferencë, pjesëmarrës ishin përfaqësues nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia.

Në hapje të saj foli Nancy Soderberg, drejtoreshë e NDI-së në Kosovë, e cila falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në përvjetorin e dhjetë jubilar të Javës së Gruas, ngjarje të cilën, siç tha ajo, e bën edhe më të veçantë manifestimi i saj në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Soderberg shprehu mirënjohje për angazhimin e mbi 900 grave dhe burrave, të cilët për dhjetë vite radhazi iu dedikuan luftës për drejtësi e barazi gjinore, në të gjitha nivelet, me qëllim të ndërtimit dhe avancimit të sistemit demokratik në Kosovë. Ndër të tjera Soderberg lartësoi figurën e ish-sekretares Madeleine Albright, për të cilën tha se angazhimi për pjesëmarrje të barabartë në shoqërinë kosovare dhe më gjerë ishte i pakontestueshëm.

Tutje, fjalën e mori Kerry Monaghan-Hogler, U. D. Drejtore e Misionit të USAID-it në Kosovë, e cila falënderoi të gjithë ata të cilët kontribuuan në realizimin e qëllimeve e aktiviteteve të organizuara nga “Java e Gruas” (WOW).

Monaghan-Hogler përmendi disa prej iniciativave të të angazhuarve të WOW, siç janë: integrimi i komuniteteve joshumicë në shoqërinë kosovare, avokimi për fëmijët me nevoja të veçanta, promovimi i paqes ndëretnike etj.

Më pas diskutimeve iu bashkëngjit virtualisht edhe Dina Titus, anëtare e Kongresit Amerikan, e cila tha se ndihet e privilegjuar të jetë pjesë e një organizimi të tillë, i cili, sipas saj, kupton dhe promovon rëndësinë e fuqizimit të grave në shoqëri.

Tutje, foli edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Robert Biedroń, i cili ndër të tjera tha se ideja për barazinë gjinore rrjedh nga komiteti i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, dhe se Parlamenti Evropian i qëndron prapa kësaj iniciative.

Ngjarja e Javës së Gruas vazhdoi me folësin e radhës, ambasadorin e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, Alan Bowman, i cili si përkrahës i Javës së Gruas shprehu entuziazëm për realizimin e këtij eventi jubilar. Bowman theksoi se shoqëria duhet t’i përfshijë gratë më shumë si në biznese, në shërbime ushtarake etj. dhe se duhet të investohet më shumë në fuqizimin e vajzave dhe grave në shoqëri.

Tutje, në kuadër të kësaj ngjarjeje u zhvillua një bisedë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nga gazetarja, njëherësh anëtare e Bordit në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, Naile Dema Selmani, me temën “Roli i Kuvendit në sigurimin dhe mbrojtjen e gjithëpërfshirjes politike”.

Gjatë kësaj bisede kryetari Konjufca tha se Kuvendi ka rol qendror dhe jetik në të gjitha zhvillimet politike, por edhe në sigurimin dhe mbarëvajtjen e demokracisë. Andaj, si i tillë, shtoi kryetari Konjufca, Kuvendi është i obliguar ta çojë përpara barazinë gjinore dhe të krijojë mekanizma për mbikëqyrjen e Qeverisë e të ministrive përkatëse, se sa po zbatohet legjislacioni mbi drejtësinë gjinore.

Më pas, kryetari Konjufca duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga ana e pjesëmarrësve, ndër të tjera ai theksoi se luftimi i pabarazisë gjinore duhet të bëhet në mënyrë të mobilizuar nga gratë dhe burrat, duke e ngritur zërin për çdo diskriminim eventual, në mënyrë që padrejtësi të tilla të zhduken në tërësi.

Konferenca vazhdoi me panelin e radhës, me temën “Gjinia në demokraci: pritshmëritë për gjithëpërfshirje në procesin e zhvillimit të politikave” i cili u moderua nga Drejtori Ekzekutiv i “Qendrës së Debatit”, Erblin Hoxha, me pjesëmarrjen e pesë panelistëve deputetë: Shqipe Mehmeti Selimi, Ganimete Musliu, Hykmete Bajrami, Time Kadrijaj dhe Fridon Lala.

Në përmbyllje të kësaj ngjarjeje Nancy Soderberg citoi ish-sekretaren amerikane Albright, me thënien: “Unë besoj në demokraci, sepse demokracia është i vetmi sistem i cili beson tek ne”./arbresh.info/

 

 

Të ngjashme