Debate në parlament për financimin rus në PD, Majko: Dilni dhe jepni llogari!

12:32 | 15 Shtator 2022
A. B.

Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë po diskuton marrëveshjen me Komisionit Evropian për mbështetjen financiare, deputeti socialist Pandeli Majko ka kërkuar nga opozita që të japë llogari për fondet ruse që dyshohen se janë marrë nga Partia Demokratike në vitin 2017.

Kjo është shoqëruar me debate me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili i tha se ky lajm së shpejti do të përgënjeshtrohet.

“Tema është sensitive se ka të bëjë me fondet e BE-së, por si drejtues të PD-së si ata me zyra e ata pa zyra është emetuar lajmi se PD ka marrë 500 mijë dollarë nga fondet ruse. Mirë do të ishte që kur flasim për fondet europiane, të flasim edhe për fondet antieuropiane. Kjo histori nuk mbyllet kaq thjeshtë as me të qeshura e deklarime ironike. Para se t’i kërkoni llogari Beqes sonë kërkojini llogari Beqes suaj. Ky nuk është faj individual e mbyllet me idenë se proces gjyqësor nuk ka. Është një akuzë e emetuar nga Zëri i Amerikës dhe i konfirmuar nga administrata amerikane. Dilni këtu dhe jepni llogari”, ka thënë Majko.

Pa kursyer ironinë kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj, tha se ky është një lajm i pavërtetë që së shpejti do të përgënjeshtrohet.

“Më në fund Pandit që i është shëruar goja, i vetmi që nuk duhej të flisje ishe ti, se di një gjë që është e pavërtetë, është një makinacion që e ka bërë ai që mungon sot. Por si i vjetër që je, prit dhe ca orë se do të përgënjeshtrohesh dhe pastaj është mirë të shkosh te dentisti”.

Në replikën e tij Majko u përgjigj: “I respektoj tipat me mjekër të bardhë e flokë të zinj, dua që të përgënjeshtrohet që gjysmë milionë dollarë nuk janë marrë nga PD-ja, por po e përsëris, ajo që keni diskutuar ju mes vedit dhe pranë sistemit të drejtësisë, është një akuzë që dje është ripërsëritur. Unë uroj që Basha të shkojë normalisht në SHBA dhe PD-ja e krijuar nga studentët, të mos jetë nën akuzë për infiltrim rus”. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme