Mblidhet Komisioni për Shëndetësi, që udhëhiqet nga Kurti

18:39 | 14 Shtator 2022
L G

Ka nisur mbledhja e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Në këtë mbledhje, që po mbahet me dyer të mbyllura, po marrin pjesë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe aktorë të tjerë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e mblodhi me urgjencë këtë komision, që e krijoi në mëngjesin e së mërkurës, njofton klankosova.

Vetë Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, bëri të ditur se do ta udhëheqë këtë komision, derisa tregoi edhe përgjegjësitë e tij.

“Si kryeministër, propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi: e para, të bëjë analizën dhe ndarjen e bashkëpunimit publiko-privat. Reformimin e SHSKUK-së, përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”, tha ai.

E kur Kurti iu drejtua mediave, rreth dy orë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, tha se gjendja në shëndetësi është aq e rëndë saqë s’mund të merret veç Ministria e Shëndetësisë me të.

Të ngjashme