Google ADS

Nagavci për grevën: Nuk është qëllimi te përmirësimi i kushteve të punëtorëve, por shantazhimi i Qeverisë

18:55 | 10 Shtator 2022
E.H

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci përmes një shkrimi të gjatë në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, u ka treguar SBASHK-ut se si bëhet një ‘grevë e sinqertë’ duke përmendur grevat në Maqedoninë e Veriut dhe në Norvegji.

“Greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve, në secilin vend demokratik. Përtej specifikave historike e ligjore të secilit vend, praktikat gjithandej Evropës dhe botës e tregojnë një gjë: kur grevat janë të sinqerta dhe përdoren për t’i sjellë në agjendë të vendim-marrësve kërkesat e punëtorëve, ato nuk vazhdojnë edhe nëse nuk plotësohen 100% të kërkesave menjëherë.

Kur nuk e kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër, fshihen pas barrikadës së 100% të kërkesës, dhe atë menjëherë”, shkroi ajo.

Sipas saj, mësimdhënësit që hynë në grevë në Maqedoninë e Veriut muaj më parë, nuk kanë pritur që t’u plotësoheshin 100% të kërkesave, por sipas saj, ndërprenë grevën kur Qeveria ua plotësoi një pjesë të kërkesave menjëherë.

“Sindikalistët maqedonas u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë”.

Tutje ajo përmendi edhe grevën e mësimdhënësve në Norvegji, duke thënë se sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë.

“Në Norvegji, nga qershori mësimdhënësit janë duke kërkuar rritje të pagave, nëpërmjet grevës. Por, tre sindikatat më të mëdha me short përcaktojnë nga 2-3 mësues në shkollë që do të mbajnë grevë në ditët përkatëse. Sepse, sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë.

Para disa vitesh, mësuesit bullgarë hynë në grevë duke kërkuar dyfishim të pagave. Greva u ndërpre kur Qeveria u’a rriti pagat 48%, dhe atë vetëm 22.5% menjëherë ndërsa pjesën tjetër pas një viti. Sepse, sindikalistët bullgarë u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë”, shkroi ajo.

Nagavci përmes këtij shkrimi ka përmendur grevat e SBASHK-ut ndër vite, duke thënë se atëkohë grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, ndërsa kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat, sipas saj, shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre.

“Ndërkohë, veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK. Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike”, tha ajo.

Sipas saj, ofertat e ofruara nga Qeveria, SBASHK’u është i informuar, por kanë vendosur t’I injorojnë, pasi sipas saj, arsyeja e injorimit nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale.

“Përkundër kësaj, Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë.

U bëj thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që janë në proces e do të përfundojnë së shpejti”, tha ajo./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme