Google ADS

Nuk ndalen pakënaqësitë brenda VV-së: Kandidatit për kryetar të qendrës në Podujevë i refuzohet kandidatura

17:05 | 10 Shtator 2022
E.H

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosjes në Podujevë, Bedri Maçastena, thotë se i është refuzuar aplikimi i tij për kryetar të qendrës së VV-së në Podujevë, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Maçastena përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i VV-së e ka arsyetuar vendimin për refuzim se kandidatura e tij nuk është në përputhje me kriteret e deklaratës së bashkëngjitur për kandidatët për pozicionet drejtuese në LVV.

“Të dashur aktivistë, Po, më është refuzuar aplikimi për të drejtën statutore të kandidimit e cila thotë: “Çdo aktivist i një Qendre ka të drejtë të kandidojë për pozicionin e Kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.” Ndërsa në vendim të Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm së LVV-së thuhet: “Refuzohet kandidatura e Bedri Maçastena për Kryetarë te Qendrës së LVV në Besianë, sepse nuk është në përputhje me kriteret e deklaratës së bashkëngjitur për kandidatët për pozicionet drejtuese në LVV”, ka shkruar ai.

Ai e ka cilësuar si skandaloz vendimin e partisë së tij dhe se në atë vendim kanë ndërhyrë individë që mbrojnë interesat e individëve të tjerë.

“Këtë vendim e vlerësoj skandaloz, jo vetëm sepse është në kundërshtim me parimet të cilat aplikohen në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por edhe sepse ka pasur ndërhyrje prej individëve për t’i mbrojtur interesat e individëve të tjerë që vazhdimisht po e dëmtojnë Lëvizjen. Ky vendim po e ndalon zhvillimin e demokracisë, jo duke ma ndaluar mua garën por duke e ndaluar të zhvillohet një garë në mes dy kandidatëve. Kriterin në të cilin thirret KZP, unë Bedri Maqastena e kam plotësuar dhe e kam dëshmuar me punën dhe aktivitetin tim tash e 1 dekadë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. I vetmi “kriter” që është shkelur nga ana ime është mosbindja për t’u renditur në anën e atyre që e shkelin ligjin e që e kanë profesion e pasion, e që fatkeqësisht po gjejnë mbështetje te individët vendimmarrës brenda Lëvizjes! Kundër kandidati im ju frikësua garës e konkurrencës. Ai vazhdoj me avazin e vjetër duke kërcënuar, shantazhuar dhe në fund duke keqinformuar”, ka shkruar Maqastena./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme