LAJMI I FUNDIT/ Të burgosurit sulmojnë 26 vjeçarin e dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares

16:40 | 7 Shtator 2022
L G

26 vjeçari Ekrem Rexhepi i dyshuar për pjesëmarrje në dhunimin e 11 vjeçares është sulmuar fizikisht nga të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë ku po mbahej.

Sulmi i tij nga të paraburgosurit tjerë sipas avokatit të tij Fitim Limani ka ndodhur tre ditë pas caktimit të masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Avokati Limani për arbresh.info tha se për shkak të rrezikut të mundshëm për përsëritje të sulmit ndaj tij, është marrë vendim që Rexhepi të transferohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyzë të Podujevës.

“Në bazë të informatave zyrtare që i kam nga stafi i qendrës së paraburgimit i mbrojturi im është sulmuar. Kjo ka ndodhur nëse nuk gabohem 2 apo tri ditë pas caktimit të paraburgimit. Qendra e paraburgimit e ka bërë kërkesën për transferim në Qendrën e Paraburgimit në Sigurinë e Lartë”, tha avokati Limani.

Ai thotë se nuk ka kontaktuar me klientin e tij, pasi ai gjendet në gjende të rëndë emocionale.

“Lëndime nuk ka marrë, sepse kanë intervenuar menjëherë gardianët, mirëpo mu sulmu është sulmu, a i kanë rënë një boks, a shuplakë unë nuk e di. Me kontaktu më të nuk kam kontaktu, sepse ai nuk do, pasi është në gjendje të rënë emocionale, për shkak të publicitetit të rastit të është bërë” u shpreh Limani për arbresh.info.

Në anën tjetër nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), thonë se i burgosuri nuk është sulmuar, mirëpo transferimi i tij është bërë për shkak të sigurisë së tij.

“Nuk është sulmuar. Është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, tha zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi për arbresh.info.

Ndryshe, rasti i dhunimit të 11 vjeçares dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht të këtij viti në një park të qytetit Prishtinë.

Të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares janë tre të mitur me inicialet G.R, G.J dhe XH.S. Si dhe, personi i katërt i moshës madhore, me inicialet E.R.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta, si nga udhëheqësit e institucioneve, ashtu edhe nga përdorues të tjerë të rrjeteve sociale, si dhe janë organizuar protesta në Prishtinë, Shkup e Tiranë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme