Deklarohet i pafajshëm i akuzuari që tentoi ta sulmonte Rrahman Jasharajn

15:05 | 7 Shtator 2022
E.H

Musli Rexhepi, i cili akuzohet se tentoi ta sulmonte fizikisht kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë një mbledhje në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, është deklaruar i pafajshëm në seancën dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Deklarimin e të akuzuarit e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi.

Në këto rrethana, gjykatësja e çështjes Naime Krasniqi-Jashanica e njoftoi të akuzuarin për të drejtën e tij në kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.

Pas kësaj, prokurori Igrishta propozoi që ndaj të njëjtit të caktohet masa e parabrugimit dhe atë bazuar në nenin 187, par.1, nënpar 1.1 dhe 1.2.

“Konsiderojmë se është plotësuar ky kusht ligjor duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, si dhe peshën e kësaj vepre penale, e po ashtu faktin ku dihet se tani i akuzuari pasi kishte shkuar në shkollën e lartecekur dhe ishte futur në ambientet ku po mbahej greva seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin dhe të njëjtin ka tentuar që ta sulmojë, por se është ndalur nga të pranishmit”, tha prokurori.

Tutje, ai theksoi se konsiderojnë që i akuzuari mund ta përfundojë veprën e tentuar ose mund të përsërisë të ngjashme.

Sipas prokurorit Igrishta, janë analizuar edhe masa të tjera, por që konsiderojnë se janë masa të pamjaftueshme, andaj i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’ia caktojë masën e paraburgimit.

Ndryshe, paraprakisht, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar, se aktakuza ndaj Rexhepit u ngrit me kërkesë për caktimin e paraburgimit.

“Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuze me kërkese për caktim te masës se paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak te veprës penale “Cenimi i të drejtës në greve”, duke e deleguar në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj. /BetimipërDrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme