Ministri shqiptarë i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka marrë pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të 11 pilotëve të rinj që do t’i shtohen Forcës Ajrore të Shqipërisë, pas përfundimit të kursit bazë të oficerit “Pilot ushtarak helikopteri”.
Gjatë fjalës së tij në ceremoni, ministri Peleshi deklaroi se kjo është një dëshmi e rritjes dhe fuqizimit të Forcës tonë Ajrore pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
“Kemi sfida të mëdha përpara veçanërisht në Forcat e Armatosura, si në drejtim të infrastrukturës, por dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore. FA është duke realizuar disa projekte historike. Baza e parë taktike ajrore e NATO, Baza e Kuçovës është tani në ndërtim e sipër dhe ky është një zhvillim historik. Në komponentin e pasurimit të teknikës ajrore, përsëri jemi në momente historike, sepse duke filluar nga viti që vjen ne do të nisim ndërtimin e flotës ajrore me helikopterët Black Hawk”, tha ministri.
“Dy helikopterët e parë do të vijnë vitin që vjen dhe, më pas ky numër do të shtohet, drejt konsolidimit dhe krijimit të një flote të vërtetë ajrore me helikopterët më të mirë në botë. Ky është një bashkëpunim i suksesshëm me partnerin tonë më strategjik dhe special, SHBA dhe gjej rastin t’i falënderoj”, u shpreh ministri Peleshi, gjatë fjalës së tij.
Ministri i Mbrojtjes tha se disa pilotë janë trajnuar tashmë në SHBA për helikopterët Black Hawk, trajnim të cilin do ta kryejnë edhe trupa e pilotëve të sapodiplomuar.
Peleshi shprehu falënderimet për vendet aleate të NATO-s që kanë kontribuuar në rritjen e Forcave të Armatosura.
“Ne jemi pjesë e së tërës, jemi pjesë e një aleance të fuqishme, e cila sot ka shumë sfida të shtuara përsa i përket skenës dhe sigurisë së mbrojtjes, që kanë ndryshuar pas pushtimit dhe agresionit rus në Ukrainë. Kemi shumë detyra dhe objektiva përpara ndaj unë uroj suksese të përbashkëta edhe arritje sa më të mira në këto sfida, ju uroj punë të mbarë dhe gjithë të mirat në karrierën që ju pret”, tha ministri.
Mes pilotëve të rinj janë 10 djem dhe një vajzë, Armela Murati.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Arben Kingji, komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Ylli Pulaj, atashe të vendeve aleate dhe partnere të NATO-s si dhe ushtarakë.
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...