Edhe dy ditë bëhet një vit nga tragjedia e zjarrit në spitalin modular në Tetovë, ndërsa gjykimi për të akuzuarit fillon sot në ora 10. Në karriget e të akuzuarve do të ulen tre persona fizik dhe një juridik. Portalb.mk do të raportojë nga seanca gjyqësore.
Rastin do e gjykojë gjykatësi Jordan Velovski dhe mban numrin K450/22.
Të akuzuarit për rastin si persona fizikë janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës (F.B), ish-drejtori ekonomik (A.E.), udhëheqësi i qendrës për Kovid (B.V.). Si person juridik akuzohet ISHP Spitali klinik Tetovë.
F.B. dhe A.E. akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.
B.V. akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.
ISHP Spitali klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.
Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza.
E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.
E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.
E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.
E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).
Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermiere, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.
Shumë çështje ende mbeten të turbullta.
Deri sot nuk ka përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?
Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?
Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.
Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre. Kjo nënkupton që brenda spitalit ku trajtoheshin pacientët me Covid-19 ka pasur edhe familjarë të cilët aty kanë qëndruar me dijeni të personelit dhe administratës së spitalit, e cila është rreptësishtë e ndaluar.
Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Pas tragjedisë, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani dhanë dorëheqje, të njëjtat nuk u pranuan nga ish-kryeministri Zoran Zaev. Dorëheqje dhanë edhe drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe drejtori ekonomik Artan Etemi.
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, KEK shpreson në sanimin e shpejtë...
Kryetari i Zubin Potokut: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ka d...
Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkë...