Google ADS

Liz Truss, profili i kryeministres së ardhshme britanike

01:15 | 6 Shtator 2022
Trina Galanxhi

Për jo pak veta, Liz Truss është një figurë popullore, por për anëtarët e Partisë Konservatore në pushtet që zgjedhën se kush do ta zëvendësojë Boris Johnsonin, kthimi i saj në mbështetëse të pasionuar të Brexit-it apo daljes së Britanisë nga BE-ja dhe zotimi për ulje taksash, janë arsyet që e ngjitën atë drejt karriges të qeverisë britanike.

Ajo gjithashtu njihet edhe për qëndrime të ashpra ndaj Rusisë dhe Kinës, qëndrime që i mbajti edhe gjatë fushatës për postin e kreut të Partisë Konservatore britanike.

“Tani është koha që ne duhet t’i bëjmë gjërat ndryshe. Duhet të jemi të guximshëm”, tha zonja Truss.

Gara e fituar prej saj mund të ketë lidhje edhe me faktin se ishte përballë ish-ministrit të Financave, Rishi Sunak i cili akuzohet nga jo pak veta si arsyeja e rebelimit kundër Boris Johnsonit.

Megjithëse thotë se është konservatore e vërtetë, ngjitja e saj në krye të Konservatorëve nuk ka qenë e lehtë. Vetë Truss i përshkruan prindërit e saj si majtistë. E ëma e cila ka punuar si ndihmës mjeke dhe mësuese, ndërsa i ati profesor matematike, e merrnin atë në demonstrata kundër kryeministres së parë grua britanike, Margaret Thatcher.

Tani, ish kryeministrja konservatore Thatcher është idhulli i zonjës Truss. Kryeministrja e ardhshme britanike e përshkroi konvertimin e saj në konservatorizëm si një “rebelim” të nxitur nga besimi se njerëzit “duhet të kenë sukses duke u mbështetur në meritë”.

Në referendumin e vitit 2016, zonja Truss votoi që Britania të mbetet në BE. Por ajo ndryshoi mendje pasi britanikët votuan për të dalë nga blloku europian, duke thënë se Brexit ofroi një mundësi për të “ndryshuar mënyrën se si funksionojnë gjërat”.

“Kjo do të thotë të shfrytëzosh sa më shumë mundësitë pas Brexit. Unë do t’i heq të gjitha ligjet e BE-së nga librat tanë të statutit deri në fund të vitit 2023”, tha zonja Truss.

Që kur mori detyrën e Sekretares së Jashtme në shtator të vitit të kaluar ajo është rreshtuar si kritike e ashpër e presidentit rus Vladimir Putin.

“Tani nuk është koha për t’u dorëzuar. Putini duhet të dështojë. Historia na tregon se agresorët kuptojnë vetëm një gjë, forcën”, tha ajo pas takimit në Londër me homologun amerikan, Antony Blinken.

Edhe disa prej mbështetësve më ngurrues të saj thonë se ajo është dinamike, nuk ndalet kurrë dhe i kupton shumë mirë detajet e politikave.

Disa konservatorë thonë se një nga dobësitë më të mëdha të zonjës Truss është stili i saj i komunikimit, duke e përshkruar atë si të ngurtë. Të tjerë besojnë se ajo mund të sjellë stabilitet pas tre viteve të trazuara të Boris Johnsonit në pushtet./klan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme