Sveçla: 11-vjeçarja është dhunuar për më shumë se një vit, bëhet fjalë për shumë raste

16:27 | 5 Shtator 2022
A Z

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se nga informacionet e para që i kanë, 11-vjeçarja ishte dhunuar për më shumë se një vit.

“S’mund të them saktësisht kur ka filluar, sepse çështja është nën hetim, por mund të them se është mbi një vit. Jemi duke hetuar, informatat e para janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit”, ka thënë Sveçla në konferencën e sotme për medie.

Ai tha se sa i takon përfshirjes së pjesëtarëve policorë në këtë rast, do të merret inspektorati policor, ndërkaq, si ministri tha se janë duke marrë të gjitha masat që kushdo që mund të jetë fajtor qoftë direkt apo indirekt, do të vihet para drejtësisë.

“Unë jam jashtëzakonisht i qartë nuk do të mbrojmë askënd, nuk do ta amnistojmë askënd, nuk do të shpërblejmë askënd, rasti është aq i rëndë, që do t’i shkojmë deri në fund, jo vetëm në policinë e Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës, kushdo që është përgjegjës për këtë rast apo tjetër të ngjashëm, do të vihen para përgjegjësisë maksimale”, ka shtuar ai.

Ai foli edhe për çështjen e targave, ku tha se i gjithë procesi do të zgjasë deri më 31 tetor dhe pas asaj, gjithë ata që nuk e kanë shfrytëzuar këtë shans, do të jenë pronarë të veturave që nuk janë të regjistruara dhe me këtë pastaj, tha se merret dogana dhe policia, me ç’rast, sipas tij, asnjë veturë nuk mund të qarkullojë në Kosovë ose t’i shfrytëzojë pikat kufitare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme