Kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar riformatim të qeverisë, duke mos përmendur ministrat që mund të ndryshohen. Njohësit e rrethanave politike në vend e vlerësojnë të nevojshëm dhe të vonuar riformatimin e qeverisë, pasi sipas tyre, në disa dikaster nuk është punuar fare apo edhe është vepruar gabim.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar ndryshime në qeverinë aktuale por, nuk ka dhënë emra ministrash që ai ka menduar se duhet të ndërrohen. Radio Kosova ka kontaktuar me qeverinë për të kuptuar se për çfarë ndryshime bëhet fjalë. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kanë mekanizma të brendshëm të vlerësimit të performancës dhe mbi bazën e këtij vlerësimi, do të mund të bëhen ndryshime. Ai tha se si qeveri kemi përgjegjësi.
“Padyshim që ne kemi mekanizma të brendshëm të vlerësimit të punës dhe performancës së të gjithëve. Ndryshimet eventuale do të mundë bëhen mbi bazën e këtij vlerësim. Si qeveri në kemi përgjegjësi, program, e madje edhe pritje çka duhen të plotësohen” tha Kryeziu.
Ndërkohë njohës të rrethanave politike në vend e vlerësojnë të nevojshëm dhe të vonuar riformatimin e Qeverisë.
Dorajet Imeri i ka thënë Radio Kosovës se ndryshimet në qeveri duhet të ndodhin sa më parë, pasi sipas tij, ka dikastere që kanë punuar fare pak apo hiç.
“Riformatimi i Qeverisë jo vetëm se është i nevojshëm por edhe është i vonuar. Riformatimi i qeverisë duhet të bëhet sa më parë. Ka segmente të qeverisë që nuk kanë punuar asgjë madje në disa edhe është bërë gabim. Çka dua të them është se ne disa sektorë, qoftë ekonomikë qoftë infrastrukturë, nuk është bërë asgjë. Dhe, nisur nga kjo, konsideroj që riformatimi i qeverisë është mëse i domosdoshëm”, tha Imeri.
Edhe Artan Muhaxheri vlerëson se performanca dhe efikasiteti i qeverisjes aktuale nuk është në përputhje me fuqinë politike që ka, prandaj Muhaxheri vlerëson se duhet të bëhen reforma në ekzekutiv.
“Performanca dhe efikasiteti i qeverisë nuk është në përputhje me fuqinë dhe pushtetin politik të jashtëzakonshëm që e ka, sepse është pritur që të bëhet më shumë e sidomos në ato fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve. Prandaj është e pritshme që kryeministri Kurti ta mendojë edhe ndryshimin e ministrave”, tha Muhaxheri.
Qeveria është konsistuar me 22 mars të viti 2021, pasi Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit me mbi 50 për qind të votave./rtk/
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...