Osmani kërkon nisjen e mësimit të hënën: Interesi i nxënësve është parësor

19:49 | 3 Shtator 2022
E.H

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  është deklaruar pas shumë takimeve që ka pasë gjatë ditës së sotme lidhur me çështjen e grevës.

Në një konferencë për media të mbajtur sot pas takimeve, Osmani tha se interesi i nxënëse është parësor, prandaj ka kërkuar që mësimi të fillojë menjëherë.

“Sot gjatë tërë ditës kishim takime. Në radhë të parë me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, Këshillit të Nxënësve, Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, BSPK-në, SBAShK-un, me bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Me të gjithë këta diskutuam për mundësitë për rifillimin e procesit mësimor nga e hëna e javës që vjen”.

“Për më tepër përgjatë gjithë ditëve që kaluan vazhdimisht kam qenë në komunikim me Qeverinë e Kosovës gjë që ka vazhduar edhe sot dhe do të vazhdojë edhe nesër dhe tutje lidhur me këtë çështje. Dua të theksoj se e drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë asnjëri nga ne që të cenohet, por përkundrazi duhet të bashkojmë forcat që të përmirësojmë cilësinë e sistemit tonë arsimor me nxënësit në qendër të vëmendjes”.

“Interesi i nxënësve, fëmijëve të këtij vendi, është parësor ndaj mësimi duhet të fillojë menjëherë. Sot në takime me shoqatat e nxënësve dhe prindërve diskutuam për sfidat e shumta me të cilat fëmijët ballafaqohen në shkollat tona – që nga aspekti infrastrukturor tek çështjet e sigurisë, cilësia e arsimit në shkolla e deri te ngacmimet seksuale dhe bulizmi – dukuri që janë prezentë gjithnjë e më shumë. Kam garantuar si presidente që do të shtyjë përpara adresimin e të gjitha këtyre çështjeve, duke pasë në qendër të vëmendjes fëmijët dhe fëmijët. Jam e përkushtuar maksimalisht për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që procesi mësimor të fillojë sa më parë që të jetë e mundur dhe që nxënësit të mos pësojnë më tutje, sepse është interesi i tyre që po dëmtohet pariparueshëm”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme