U përjashtua nga shkolla për shkak të mbulesës fetare, arsimtarja kërkon hetim nga Prokuroria Themelore e Prizrenit

14:00 | 3 Shtator 2022
L G

Këshilli Drejtues i shkollës “Flamuri i Arbërit” në fshatin Reshtan të Suharekës ka marrë vendim që të mos e lejojë një mësuese që ta ushtrojë profesionin e saj për shkak të mbulesës.

Një vendim i tillë ishte marrë më 26 gusht të këtij viti.

Arsyetimi që arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi të largohet nga puna, nuk ishte niveli i performancës së saj, e as ndonjë sjellje e papranueshme nga ajo.

I vetmi “gabim” që arsimtarja Lezi kishte bërë sipas Këshillit Drejtues të Shkollës i cili mori vendim për largimin e saj nga  puna, ishte mbulesa fetare islame, shkruan arbresh.info.

Ky vendim i Këshillit Drejtues të Shkollës ka nxitur reagime të mëdha, pas publikimit të vendimit të enjten.

Mos lejimi i ushtrimit të punës së saj si mësues e matematikës, e bëri të ditur vetë mbrojtësi i arsimtares Remzie Lezit, avokati Muhamet Mujaj, duke publikuar vendimin Këshillit Drejtues të shkollës “Flamuri i Arbërit” për përjashtimin e arsimtaren e tyre.

Mujaj: Ky vendim nuk ka asnjë bazë ligjore, rasti është dërguar në Prokurorinë Themelore në Prizren

Avokati Mujaj deklaron se ky vendim për përjashtimin e arsimtares së matematikës nga shkolla nuk ka asnjë bazë ligjore, është joserioz, dhe madje është nxjerrë nga organi jokompetent, përcjell arbresh.info.

“Kjo shkresë e nxjerrë nga SHFMU “Flamuri i Arbrit” nuk paraqet asnjë dokument serioz. Përveç gabimeve drejtshkrimore të cilat nuk janë çështje në këtë temë, kjo shkresë nuk përmban asnjë element të vetëm të një vendimi administrativ ashtu siç parasheh Ligjin mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative. Është nxjerr nga organi jokompetent, asnjë bazë të vetme ligjore, fare nuk ka arsyetim, mungon udhëzimi për mjet juridik, sa në fund nuk e ka as vulën”, deklaron Mujaj.

Avokati Mujaj tregon se tashmë ka dorëzuar ankesën e tij si mbrojtës edhe në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, si dhe ka kërkuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Suharekë që t’a anulojë këtë vendim siç thotë ai diskriminues.

“Kjo shkresë dhe të gjitha veprimet e drejtorit të shkollës për një javë rresht, janë veprime të kundërligjshme dhe diskriminuese për të cilat e kemi ftuar edhe Prokurorinë e Prizrenit që të ndërmerr masa. Me datë 31.08.2022 kemi dorëzuar në DKA të Suharekës kërkesën për anulimin e kësaj shkrese dhe kthimin e mësueses Remzije Lezi në vendin e saj të punës. Kemi përshkruar me herët si ka ardhur deri të ngjarja që ka sjell diskriminim serioz”, përfundoi avokati i Remzie Lezit.

Nagavci: Vendimi është i paligjshëm, i padrejtë dhe si i tillë nuk shkakton asnjë pasojë juridike

Pas publikimit të vendimit nga mbrojtësi i arsimtares, reagoi edhe vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ajo e quajti vendim të jashtëligjshëm dhe të padrejtë, duke shtuar se nuk beson plotësisht se një gjë e tillë ka ndodhur.

“Ky vendim, nëse ekziston vërtetë, është i paligjshëm, i padrejtë dhe si i tillë nuk shkakton asnjë pasojë juridike”, shkruan Nagavci

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj thotë se vetëm drejtori komunal i arsimit, respektivisht kryetari i komunës, ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, dhe jo bordi i prindërve, siç ndodhi në këtë shkollë.

Ai premtoi se posa të kthehet nga një udhëtim zyrtar të hënën, do t’i jep fund kësaj teme, që sipas tij, është e panevojshme.

“Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale. Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur. Për momentin jam në udhëtim jashtë vendit, por që nga dita e hënë do ta trajtoj me prioritet këtë rast, kjo në përputhje me ligjin, me urdhrin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kështu do t’i japim fund edhe debatit krejt të panevojshëm për këtë temë”, u shpreh Muharremaj.

Për përjashtimin e arsimtares nga shkolla për shkak të bartjes së shamisë fetare, ka reaguar analistja dhe aktivistja e të drejtave të femrave, Zana Avdiu.

Ajo ka thënë se Udhëzimi Administrativ është vetëm për të miturit, dhe ky vendim është shkelje direkte e të drejtave të njeriut.

Sipas saj, shteti po e largon arsimtaren nga puna vetëm për shkak të shamisë, mirëpo po i kthen mësuesit përdhunues në punë brenda një kohe të shkurtër.

“ Hala pa u mbyllë një skandal, hapet tjetri. Edhe krejt në kurriz të grave. Gratë po dhunohen prej qytetarëve, po dhunohen prej shtetit. Me kanë shteti me i nejt gati me i mbrojt gratë, qysh i rrinë gati me i shtypë, sot nuk ishim përballë as me dhunë e as me vrasjet e grave. UA është për nxënësit e moshës së mitur. Largimi i mësueses pse ka shami, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Në këtë kohë krize, e largon njeriun prej pune. Pse? Pse ka shami. A mësuesit përdhunues i kthen në punë pas 6 muajve”, shprehet Avdiu në lidhje me këtë rast.

Ndryshe, tre javë më parë nisi një iniciativë në rrjetet sociale nga Durim Berisha dhe Liridon Kurti për ta ndryshuar Udhëzimin Administrativ që nuk i lejon nxënëset që të shkojnë në shkollë me shami.

Ky vendim i Këshillit Drejtues të Shkollës u mor në bazë të një Udhëzimi Administrativ të vitit 2016, i cili rregullonte mënyrën se si funksionojnë shkollat.

Megjithatë, në këtë Udhëzim Administrativ nuk shkruan askund se mësimdhënësve u ndalohet puna për shkak të mënyrës së veshjes së tyre, e aq më pak për shkak të uniformës fetare.

Udhëzim Administrativ thotë se vetëm nxënësve që janë nën moshën 18-vjecare iu ndalohet shamia në shkollë, gjithsesi, edhe kjo nuk është se ka nxënë shumë vend në praktikë./arbresh.info/Emir Abduramani/

 

Të ngjashme