Presidenti amerikan Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve gjatë një fjalimi të enjten në mbrëmje që të shprehen kundër ekstremizmit kur të shkojnë në kutinë e votimit në nëntor, ndërsa ai intensifikon kritikat ndaj politikanëve që mbështesin ish-presidentin Donald Trump.
“Barazia dhe demokracia janë nën sulm”, tha presidenti Biden.
Ai u bëri thirrje drejtpërdrejt republikanëve të moderuar që të bashkojnë forcat me demokratët, duke thënë se qëllimi i vetëm duhet të jetë mbrojtja “e demokracisë sonë, pavarësisht nga ideologjia”.
“Për një kohë të gjatë, ne kemi pasur bindjen se demokracia amerikane është e garantuar. Por nuk është ashtu. Duhet ta mbrojmë atë. Mbrojeni atë”, tha ai.
Presidenti Biden foli nga Filadelfia, vendlindja e demokracisë amerikane dhe fjalimi është pjesë e një kthese të fortë nga ana e tij ndërsa afrohen zgjedhjet e Kongresit.
“Kam ardhur këtu në vendin ku e ka zanafillën gjithçka që t’i flas hapur kombit për kërcënimet me të cilat përballemi. Për forcën që kemi në dorë për t’u përballur me këto kërcënime. Dhe për të ardhmen e jashtëzakonshme që na pret nëse zgjedhim këtë rrugë”, tha ai.
Pasi ia kushtoi pjesën më të madhe të vëmendjes në vitin 2022 inflacionit të lartë në vend dhe agresionit rus në Ukrainë, dhe pasi u infektua dy herë me COVID-19 gjatë verës, zoti Biden filloi ditët e fundit të vërë në shënjestër republikanët e lidhur me zotin Trump.
Të enjten në mbrëmje ai vuri në shënjestër lëvizjen e ish-presidentit Trump “Ta bëjmë Amerikën Përsëri Madhështore ” dhe vetë paraardhësin e tij, duke e përmendur me emër, ndryshe nga më parë.
“Ish-presidenti Trump dhe republikanët që mbështesin MAGA-n, përfaqësojnë esktremizmin që kërcënon vetë themelet e republikës sonë”, duke shtuar se forcat e saj janë të vendosura ta çojnë këtë vend prapa.
“Prapa tek një Amerikë ku nuk ekziston e drejta për të zgjedhur, e drejta për privatësi, e drejta për kontraceptivë, e drejtë për t’u martuar me atë që do”, tha ai.
Në një aktivitet për mbledhje fondesh javën e kaluar në Maryland, presidenti Biden e krahasoi atë që e quajti ” filozofi ekstreme të MAGA-s” – me një “gjysmë-fashizëm”.
Ai tha se nuk do të lejojë që zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të vidhen nga ata që thjesht refuzojnë të pranojnë se kanë humbur.
Fjalimi i zotit Biden pasqyron një urgjencë në rritje për t’iu përgjigjur prirjeve antidemokratike mes republikanëve, si dhe nevojën për të parandaluar një fitore masive republikane në nëntor, si edhe për të krijuar mbështetje për një rikandidim të mundshëm të tij në vitin 2024, thonë këshilltarët e tij.
Të martën, në një nga tre vizitat brenda një jave në shtetin e Pensilvanisë, që është një fushëbetejë politike, zoti Biden foli ashpër ndaj kërcënimeve kundër FBI-së pas një kontrolli në shtëpinë e zotit Trump në Florida, duke i quajtur ato “të pështira”. Ai iu rikthye kësaj teme të enjten.
Ai ironizoi anëtarët republikanë të Kongresit të cilët refuzuan të dënojnë sulmin e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara,
Përpara fjalimit të presidentit Biden, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy e akuzoi atë se po lë pas dore krimin dhe inflacionin “për të shpërfillur punonjësit amerikanë”. Zoti McCarthy planifikon të mbajë një fjalim në qytetin e lindjes së zotit Biden, Scranton, Pensilvani, përpara fjalës së presidentit.
ZGJEDHJET E LIRA NË RREZIK?
Presidenti Biden e mbajti fjalimin në Sallën e Pavarësisë, ku u ra dakord për Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Historianë, studiues ligjorë dhe disa zyrtarë të zgjedhur thonë se me rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit përcaktohet mënyra se si shihen zgjedhjet e lira dhe përkushtimi ndaj sundimit të ligjit.
Ata thonë se humbja e shumicës nga demokratët në Kongres jo vetëm që do ta bënte zotin Biden një president joefektiv, por mund ta kthente kontrollin mbi certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale tek simpatizantët e zotit Trump, disa prej të cilëve nuk e pranuan kurrë fitoren e zotit Bideni në vitin 2020 dhe janë zotuar t’i
Të përballur me kërcënime pas humbjes së ish-presidentit Trump, një ndër pesë punonjës zgjedhorë të anketuar këtë vit thanë se mund të largohen përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se bëhej fjalë për “një fjalim optimist. Është një fjalim për atë që mund të arrijmë ne si vend, si demokraci.” /VOA
Hamza përmbyll ciklin e punëtorive për program, merr sugjeri...
Aivo Orav: Vendet anëtare të BE-së duhet të vendosin konsen...
Shefi i BE-së në Kosovë: Borell ka rekomanduar heqjen e masa...
Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia kërcënon...
Raporti i BE-së për Kosovën, Bislimi: Tregon se Qeveria ka v...
Ambasadori rus kërkesë OKB-së ta obligojnë Kosovën për theme...