Zëvendëskryeministri Bislimi viziton komunat e Gjilanit dhe të Kamenicës

20:58 | 1 Shtator 2022
E.H

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka vizituar gjatë ditës së djeshme dhe të sotme komunat e Gjilanit dhe të Kamenicës.

Në këto takime, zëvendëskryeministri Bislimi është shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Së bashku me Durmishin, ditën e djeshme u inspektuan punimet për ndërtimin e autostradës Gjilan-Prishtinë, ku u theksua domosdoshmëria për rritjen e intensitetit të punimeve.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, kujdesemi për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së këtij projekti, në mënyrë që të vazhdojë tutje me implementimin e plotë dhe mos të ketë ngecje të mëtejshme”, tha Zëvendëskryeministri Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka vijuar gjatë ditës së sotme takimet në Gjilan me Kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe në Kamenicë me Kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj.

Në këto takime, së bashku dhe me Ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u diskutua për zbatimin e plan-programeve qeverisëse nga ana e komunave, me fokus të veçantë në fazat e implementimit të projekteve të planifikuara dhe mbarëvajtja në vija të përgjithshme të punës.

Gjithashtu u shqyrtuan dhe mundësitë potenciale për mbështetje nga ana e Qeverisë të projekteve, ideve dhe iniciativave të reja apo ato në zbatim e sipër.

“Mungesa e investimeve dhe e vëmendjes së nivelit qendror më herët ndaj zonës së Anamoravës, ka sjellë nevojën për rritje të investimeve, veçanërisht atyre infrastrukturore, ku dhe nuk do të mungojë mbështetja e Qeverisë”, thuhet në komunikatën për media Zyra për Komunikim publik./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme