Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për t’i lënë nxënësit pa mësim dhe mësimdhënësit e shërbyesit civilë pa paga.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se kryeministri Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru, duke u shpallur luftë mësimdhënësve, sepse ai nuk do dialog social, por nënshtrim.
“Albin Kurti, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci sot i kanë lënë fëmijët e Kosovës pa shkuar në shkolle. Sot ishte dashur të ishte ditë feste në gjithë Kosovën, e sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë e që shkëlqimin e syve të tyre sot nuk e panë as prindërit e tyre. Sepse, Albin Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallë luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga sepse janë në grevë dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide e të rënduar”, tha ajo.
Hoxha tha se mësimdhënësit e Kosovës sot është dashur t’i kenë pagat edhe ashtu të pamjaftueshme në llogari, për të mbuluar kreditë dhe shpenzimet elementare të mbijetesës, por ata po injorohen totalisht nga qeveria.
“Pra, si ka mundësi që fokusi i kësaj qeverie janë është vetëm tek nxënësit ndërsa mësimdhënësit të përjashtuar nga harta e interesit institucional. Mbi 340,000 fëmijë sot janë jashtë bankave shkollore. Mbi 80,00 familje e kanë mirëqenien e rënduar për shkak të ndalesës së pagave të anëtarëve të tyre. Dhe ironia në anën tjetër është që ministrja Nagavci, sot në vend se të ishte me mësimdhënës e nxënës në ndonjë shkollë duke e festuar fillimin e vitit të ri shkollor, sot ajo promovon Abetaren e përbashkët me Shqipërinë në një ditë kur shkollat janë të mbyllura”, tha ajo.
Hoxha shtoi se sot Kosova është në terr energjetik dhe edukativ, si rezultat i mendjeve të errësuara të Qeverisë Kurti.
“Sot jemi në terr energjetik. Sot jemi në terr edukativ. Dhe krejt kjo është rezultat i mendjeve të errësuara të kësaj qeverie”, theksoi ajo.
Ndërkaq, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa tha se Kosova po kalon nëpër një krizë të rëndë ekonomike, për shkak të paftësisë së Qeverisë Kurti, e cila është dorëzuar para këtyre vështirësive.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, rritje domethënëse të të hyrave ka shënuar vetëm Qeveria, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, të cilat po zhvlerësohen çdo ditë nga inflacioni.
“Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë masat e duhura për zbutjen e rritjes së çmimeve, duke i shpërfillur në tërësi kostot e pritura për ekonominë dhe qytetarët, krijoi kushtet për një eskalim të normës së inflacionit, e cila në muajin korrik 2022 ka arritur në 14.2 për qind. Për produktet ushqimore, norma e inflacionit qëndron edhe më keq duke treguar për një rritje të çmimeve të ushqimeve për 22.1 për qind, përderisa për produkte të ndryshme esenciale siç janë buka dhe vaji, norma vjetore e inflacionit ka arritur në rreth 40 përkatësisht 80 për qind”, theksoi Mustafa.
Tutje, ai tha se krizën po e thellojnë edhe reduktimet e energjisë elektrike, të cilat më së shumti po i dëmtojnë bizneset prodhuese, e me këtë rrjedhimisht edhe qytetarët.
“Në veçanti, po dëmtohen bizneset prodhuese, të cilat krahas vonesave në prodhim po regjistrojnë edhe humbje financiare si pasojë e dëmtimit të materialeve të ndryshme të përdorura në procesin e prodhimit. Si pasojë e reduktimeve, një pjesë e madhe e bizneseve po detyrohen të sigurojnë rrugë alternative të sigurimit të energjisë elektrike përmes blerjes së gjeneratorëve. Mirëpo, mes tjerash, kjo mund të përkeqësojë edhe më shumë situatën me inflacionin pasi që një pjesë e kostos shtesë sigurisht se do të transmetohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve që ato prodhojnë”, tha Mustafa.
Ai theksoi se në këtë kohë kur pritej një aktivizim i Qeverisë në ndihmë të ekonomisë, Ministri i Financave, Hekuran Murati u paraqit në rolin e shtypësit të grevave përmes ndalesës së pagës për shumë punonjës të sektorit publik, duke ndikuar kështu në rëndimin edhe më të madh të gjendjes.
“Në vend të ndëshkimit të grevistëve, Qeveria duhet t’i japë mundësi dialogut dhe në këtë mënyrë të gjejë zgjidhje për kërkesat e punonjësve të sektorit publik, sepse qytetarët tanë kanë mjaftueshëm brenga dhe nuk u nevojiten kriza të reja! Me këtë rast, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që ta kthejë vëmendjen në problemet ekonomike që po e rëndojnë jetën e qytetarëve, sepse ata kanë nevojë ta ndjejnë praninë e Qeverisë përmes përpjekjeve për t’ua përmirësuar kushtet e jetës dhe jo në rolin e shtypësit të të drejtave dhe lirive të tyre”, përfundoi Mustafa. /arbresh.info/
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...