Krasniqi: Situata kërkon masa lehtësuese për gjendjen, e jo masa ndëshkuese për mësuesit

19:34 | 31 Gusht 2022
E.H

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë Kurti e cila ua ka bllokuar pagat mësimdhënësve kosovarë.

Lideri i opozitës, përmes rrjetit social Facebook tha se vetëm një qeveri e paaftë për të qeverisur dhe pa kurrfarë vizioni për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare

“Regjimi i Albin Kurtit po demonstron vullnetin për t’u hakmarrë ndaj atyre që refuzojnë t’i nënshtrohen dhe të mbyllin gojën, sytë dhe veshët përballë kësaj situate të rëndë. Ky mentalitet sanksionues ndaj mësimdhënësve tanë nuk është parë e as dëgjuar në Kosovë që nga koha e okupimit serb dhe masave të dhunshme të viteve ’90”, tha Krasniqi./arbresh.info/

Postimi i plotë:

Kosova është duke e përjetuar situatën më të rëndë të pasluftës, për shkak të inflacionit enorm, reduktimeve të ashpra të energjisë, rritjes masive të çmimeve, papunësisë në rritje, ikjes së të rinjve dhe mungesës së investimeve publike. E përderisa qytetarët pyesin se ku është qeveria për të ndërmarrë veprime lehtësuese, qeveria vepron me masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, duke ua ndalë pagat për shkak të grevës.
Vetëm një qeveri e paaftë për të qeverisur dhe pa kurrfarë vizioni për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare. Ky mentalitet sanksionues ndaj mësimdhënësve tanë nuk është parë e as dëgjuar në Kosovë që nga koha e okupimit serb dhe masave të dhunshme të viteve ’90.
Sot, ministri i financave do të duhej të dilte me masa ekonomike e iniciativa konkrete për t’ua lehtësuar të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë, ballafaqimin me depresionin ekonomik që vetëm po rritet. Por, ai doli për ta luajtur rolin e ndëshkuesit, ndëshkim me të cilin regjimi i Albin Kurtit po demonstron vullnetin për t’u hakmarrë ndaj atyre që refuzojnë t’i nënshtrohen dhe të mbyllin gojën, sytë dhe veshët përballë kësaj situate të rëndë.
Me këtë qasje, qeverisja depresive e Albin Kurtit, po provon ta grabisë në mënyrë represive të drejtën e mësimdhënësve e shërbyesve civilë për të jetuar dinjitetshëm. Kjo e drejtë nuk mund t’iu mohohet as mësimdhënësve, as askujt tjetër. Prandaj, zgjidhje është dialogu e jo hakmarrja.
Fytyra e qeverisjes së Kosovës së pavarur e demokratike nuk duhet të jetë qeverisja depresive e represive. Qeveria duhet që të përmbushë obligimet ndaj mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë si dhe të lejë anash këtë logjikë shantazhi e revanshi. Kjo situatë kërkon masa lehtësuese për gjendjen, jo masa ndëshkuese për mësuesit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme