Administrata Kombëtare amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) do të bëjë përpjekjen e dytë të shtunën, më 3 shtator, për të nisur raketën e saj të re Space Launch System (SLS) drejt Hënës.
Përpjekja e parë më 29 gusht për të nisur këtë raketë në Hënë u anulua për shkak të problemeve teknike në njërin prej motorëve.
Pas mbledhjes së të dhënave, inxhinierët thanë se tani besojnë se e kanë kuptuar se pse njëri nga katër motorët e raketës nuk arriti të ftohej në temperaturën e kërkuar për operim. Inxhinierët thanë se kanë krijuar një strategji për t’u përballur me këtë problem gjatë tentimit të dytë për nisjen e raketës.
“Ne kemi një plan që duhet të ndjekim në mënyrë që të mund të arrijmë synimin”, tha John Honeycutt, i cili menaxhon projektin e raketës së NASA-s, SLS.
Lëshimi i raketës të shtunën është paraparë të ndodhë në orën 14:17, sipas kohës lokale. Raketa do të lëshohet nga Qendra Ajrore Kennedy në Florida.
Inxhinierët do të kenë dy orë kohë për të lansuar raketën nga Toka.
Raketa SLS është mjeti më i madh që ka zhvilluar ndonjëherë NASA. Kjo raketë do të dërgojë kapsulën e quajtur Orion në Hënë, fillimisht pa ekuipazh. Por, programi i ri i NASA-s, Artemis, synon që më pas të dërgojë njerëz në Hënë.
Kapsula Orion do të jetë në një mision 42-ditor rreth Hënës, përpara se të niset drejt Tokës dhe të përfundojë në Oqeanin Paqësor, afër Kalifornisë.
Objektivi kryesor i këtij fluturimi testues është që të shikohet nëse mbrojtja e kapsulës mund t’i mbijetojë temperaturave të larta me të rihyrë në atmosferën e Tokës.
NASA tha se misionet drejt Hënës janë pjesë e programit të saj për të mësuar më shumë se si të arrihet në planetin Mars.
Por, misionet e ardhshme të programit Artemis do të fokusohen në Polin Jugor të Hënës, ku ka kratere me rezerva të akullit.
“Artemis është një seri misionesh gjithnjë e më komplekse për të eksploruar Hënën në përgatitje për misionet në Mars. Kur të shkojmë në Mars, sa më shumë që mësojmë se cilat janë burimet në dispozicion për ne dhe si mund t’i përdorim ato, aq më mirë do të jetë për ne”, tha për BBC, shkencëtarja kryesore e NASA-s, Kate Calvin.
Ekipi i inxhinierëve planifikon që të nisë procesin e ftohjes së motorëve të raketës SLS rreth 45 minuta më herët para kohës së paraparë për nisjen e raketës të shtunën, me shpresën se mund të ftohin motorët me kohë.
Por, kushtet e motit më 3 shtator nuk parashikohet që të jenë më të favorshmet. Aktualisht, parashikohet se ka 60 për qind gjasa që ketë reshje shiu dhe raketa SLS nuk lejohet që të niset nëse ka shi.
Për herë të parë në Hënë, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin shkelën në vitin 1969, në kuadër të programit Apollo, duke nisur të ashtuquajturën epokë të artë të eksplorimit të hapësirës.
Por, misionet e reja të NASA-s pritet të jenë më ndryshe sesa të programit Apollo, pasi agjencia amerikane dëshiron që të dërgojë në Hënë gruan e parë dhe personin e parë me ngjyrë, duke treguar se eksplorimi i hapësirës është i hapur për të gjithë. /rel
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...
Programi “ALBAdapt”, Kumbaro: Kapitull i ri, përgatit Shqipë...
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...