Google ADS

ZRrE: Nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike

16:32 | 30 Gusht 2022
K.B

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një deklaratë për media ka bërë të ditur se i ka kthyer përgjigje KESCO-s duke thënë se nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës.

Më datë 9 gusht të këtij viti, ZRRE ka pranuar aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

“ZRRE në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FSHU-në, ka analizuar me kujdes aplikacionin e FSHU-së, dhe konstaton se ngjarja e jashtëzakonshme nuk ka qenë nën kontrollin e FSHU-së, dhe se mungesa e subvencionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të tejkalonte pragun e materialitetit prej 5% në të Hyrat e Lejuara Maksimale të FSHU-së, e cila do të hapte Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal”.

Në kërkesën e saj FShU thekson se në mungesë të rimbursimit të mjeteve të subvencionit nga Qeveria e Kosovës të shumës prej 32.8 milionë eurove për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 është tejkaluar pragu i materialitetit prej 5% siç përcaktohet në Rregullën e të Hyrave të FSHU-së.

Kurse, në reagimin e tyre u bë e ditur se më 24 gusht, Qeveria e Kosovës me qëllim të sigurimit të furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe në mënyrë që të mbahet përballueshmëria e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal, kompanisë që vepron si Furnizues i Shërbimit Publik (FShU) i ka vendosur obligim shtesë.

Mirëpo ZRRE nuk e ka përjashtuar mundësin e shtrenjtimit të energjisë në të ardhmen.

“ZRRE edhe gjatë muajve në vazhdim, do të monitoroj nga afër gjendjen e kostove të sektorit të rregulluar të energjisë elektrike dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në përputhje me mandatin mandatit e saj ligjor”, përfundon komunikata e ZRRE-së, dërguar mediave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme