Macron paralajmëron qytetarët për vështirësi ekonomike

00:51 | 25 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar qytetarët se gjatë muajve të ardhshëm do të përballen me vështirësi ekonomike në vazhdën e luftës në Ukrainë.

Këto deklarata ai i bëri gjatë takimit të tyre të parë me ministrat e tij pas pushimeve të verës.

Emmanuel Macron: Liria jonë, sistemi i lirisë në të cilin jemi mësuar të jetojmë ka një kosto. Dhe nganjëherë, nëse duhet të mbrohet, mund të sjellë sakrifica për të arritur në fund të betejave të caktuara që duhet të bëjmë. Situata ku ndodhemi është kjo, të jetosh ,ka një kosto, liria dhe e ardhmja jonë kërkojnë përpjekje. Betejat që duhet të luftojmë në kulturë dhe civilizim, por edhe në ekonomi dhe teknologji do të fitohen vetëm përmes përpjekjeve tona.

Përveç luftës në Ukrainë, Franca gjatë verës është goditur nga thatësira, zjarret dhe stuhitë. Ai tha se qeveria do të nisë gjithashtu planet e shumëpritura për të luftuar ndryshimet klimatike. Macron, i cili fitoi një mandat të dytë presidencial në Prill, por më pas humbi shumicën e tij të përgjithshme në parlament, përballet me një sërë sfidash në muajt e ardhshëm, duke përfshirë bindjen e ligjvënësve hezitues për të miratuar buxhetin e 2023.

Reformat e skemave të pensioneve por edhe të përfitimeve të papunësisë janë gjithashtu në proces e sipër dhe nëse nuk realizohen mund të shkaktojnë protesta në rrugë.

Emmanuel Macron: Unë pres seriozitet dhe besueshmëri përballë, sfidave të tilla. Është e lehtë të premtosh çdo gjë dhe gjithçka. Por le të mos i dorëzohemi këtij tundimi atij të populizmit.

Një pyetje kyçe mbetet nëse kufijtë e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit që skadojnë në fund të vitit do të mbesin njësoj apo do të ndryshojnë./tvklan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme