Google ADS

15 persona u vranë nga sulmet ruse në një stacion treni në ditën e pavarësisë

23:01 | 24 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Forcat ruse të mërkurën kanë kryer sulme me raketa ndaj një stacioni të trenave në qendër të Ukrainës, duke vrarë të paktën 15 persona dhe plagosur mbi 50 të tjerë, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Sulmi ndodhi në Çapline, qytet me rreth 3.500 banorë në rajonin e Dnipropetrovskit, citohet të ketë thënë Zelensky në një video-adresim.

Zyra e Presidentit të Ukrainës tha se një fëmijë 11 vjeç ishte vrarë në një sulm tjetër me raketa në një pjesë tjetër të po këtij rajoni.

Sulmet ruse vijnë në ditën kur Ukraina po shënon 31-vjetorin e pavarësisë. Kjo ditë përkon edhe me gjashtëmujorin e nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

“Ekipet e shpëtimit janë duke punuar. Por, fatkeqësisht numri i viktimave mund të rritet”, tha Zelensky gjatë një video-adresimi para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli u mblodh sot për të diskutuar për luftën në Ukrainë.

“Kështu jetojmë ne çdo ditë. Kështu përgatitet Rusia për takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shtoi Zelensky.

Ukraina ka ndaluar tubimet në masë për ditën e pavarësisë, nga frika e sulmeve ajrore.

Më herët gjatë 24 gushtit, Zelensky është zotuar se shteti i tij do të luftojë ndaj trupave ruse “deri në fund”./rel

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme