Shea: NATO-ja garanton sigurinë në Kosovë, jo Beogradi

22:57 | 24 Gusht 2022
L G

Në kohën e tensioneve të larta midis Kosovës dhe Serbisë, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, u bën thirrje të dyja palëve që të heqin dorë nga retorika nxitëse dhe të përqendrohen te gjetja e zgjidhjes për lirinë e lëvizjes.

Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, porosit Beogradin se përgjegjës për sigurinë në Kosovë është misioni i NATO-s, KFOR, i cili bashkëpunon me Policinë e Kosovës.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëse NATO-ja nuk e bën punën e vet, Beogradi do të ndërhyjë “për të mbrojtur” serbët në Kosovë, Shea thotë:

“Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim”.

Shea shfaq shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës. “Kemi të bëjmë me një luftë diplomatike, e jo luftë ushtarake”, thotë ai.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur në fillim të këtij muaji kur Prishtina ka thënë se do t’i detyrojë serbët që jetojnë në veri – të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës – të fillojnë të përdorin targat e makinave të lëshuara në Prishtinë.

Në shenjë pakënaqësie, disa serbë në veri kanë ngritur barrikada në rrugë dhe Qeveria e Kosovës, me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, ka shtyrë zbatimin e vendimit për datën 1 shtator.

REL: Zoti Shea, Kosovës dhe Serbisë u kanë mbetur edhe pak ditë – deri më 1 shtator – për të gjetur një zgjidhje për lirinë e lëvizjes. Serbia thotë se është duke kërkuar kompromis, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se do t’u përmbahet vendimeve të mëparshme për targat dhe dokumentet e udhëtimit. A keni frikë nga përshkallëzimi i situatës në terren, në ditët e ardhshme, në veri të Kosovës?

Jamie Shea: Atje ndodhet KFOR-i. [Mbi] 3.700 trupat e NATO-s në Kosovë janë, padyshim, të vetëdijshme për situatën. Kanë qenë qëkur ka shpërthyer problemi në korrik. Janë vendosur në rrugët kryesore, sidomos në veri, duke mbajtur sytë kah kufijtë dhe duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës. Shpresojmë se nuk do të ketë probleme, nuk do të ketë bllokada në rrugë nga serbët lokalë. Por, jam i sigurt se KFOR-i, duke e ditur afatin e 1 shtatorit, është mirë i përgatitur.

Shpresoj, sidomos pas takimit në Bruksel më 18 gusht, të organizuar nga BE-ja, palët [Kosova dhe Serbia] të heqin dorë nga retorika nxitëse. Kam dëgjuar [presidentin serb] Aleksandar Vuçiq të ketë thënë se kosovarët duan që popullata serbe të largohet nga Kosova. Ky është absurditet total. Të gjithë e dimë. Pra, të hiqet dorë nga kjo retorikë, e cila nxeh situatën.

Shpresoj po ashtu – derisa i afrohemi afatit të 1 shtatorit – se BE-ja mund të organizojë një takim tjetër midis [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti dhe Vuçiqit, në përpjekje për të gjetur një lloj zgjidhjeje, sidomos për modalitetet e zbatimit [të vendimeve në terren]. Mendoj se modalitetet e zbatimit janë kyçe, në mënyrë që kriza të qetësohet dhe të ecim përpara.

Prania e NATO-s në Kosovë tregon se “situata nuk është stabile”

Ju keni qenë zëdhënës i NATO-s gjatë ndërhyrjes së saj për t’i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë, në vitin 1999. Më shumë se 23 vjet më vonë, për shkak të tensioneve të rritura midis Kosovës dhe Serbisë, NATO thotë se është gati të intervenojë nëse rrezikohet stabiliteti. Sa shqetësuese është kjo?

Jamie Shea: KFOR-i [misioni paqeruajtës i NATO-s] është ende në Kosovë. NATO-ja ka lënë Afganistanin – edhe pse e di se është një rrëfim tjetër. NATO-ja ka lënë Bosnjën, e cila është dorëzuar te BE-ja, shumë vite më parë. Por, NATO-ja është ende në Kosovë. Natyrisht, nuk i ka më 40.000 trupa, i ka [mbi] 3.700. Por, fakti që janë atje, tregon se situata nuk është stabilizuar dhe normalizuar ende tërësisht. NATO-ja në Bruksel duhet të ketë trupa rezervë, që mund të dërgohen shpejt në Kosovë, në rast të krizës. Duhet të ketë një plan evakuimi, po ashtu.

Dhe po, si zëdhënës i NATO-s në vitin 1999, unë jam personi i parë që më vjen keq që nuk kemi pasur një zgjidhje përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës,e cila do të mundësonte që Kosova të bëhej e pavarur në kuptimin e plotë të fjalës, duke u njohur nga fqinjët e saj dhe nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar.

Edhe pse, aktualisht, të gjithë ne mendojmë për Ukrainën dhe gjashtëmujorin e nisjes së luftës ruse atje, NATO-ja duhet të mbajë një sy edhe në Ballkan, natyrisht

Trupat paqeruajtëse të NATO-s kanë rritur tashmë praninë në veri të Kosovës. A është ky ndonjë sinjal?

Jamie Shea: KFOR-i duhej ta rriste praninë në veri, për të qenë në gjendje të përballojë çdo problem. Është detyrë e tij të ruajë mjedisin e sigurisë. Kam parë që Vuçiq ka deklaruar se nëse NATO-ja nuk mund ta ruajë paqen, ne, serbët, do ta bëjmë këtë. Jo, faleminderit! Nuk ka nevojë. Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim.

Po, edhe unë desha të ndalem te kjo deklaratë e Vuçiqit. Edhe pse nuk ka asnjë provë se serbët e Kosovës janë të kërcënuar, sa ju shqetëson kjo deklaratë?

Jamie Shea: Siç e thashë edhe pak më herët, e kjo vlen edhe për Albin Kurtin, është e rëndësishme të ulet toni i retorikës, sidomos kur nuk ka bazë, dhe të veprohet në mënyrë pragmatike. Për shembull, pas ngjarjeve të korrikut, kosovarët janë pajtuar të shtyjnë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, për t’i dhënë kohë hartimit të një strategjie të duhur për zbatim. I kemi ende edhe disa ditë.

Unë mendoj se është krejtësisht e arsyeshme që njerëzit që jetojnë si qytetarë të Kosovës, të vozisin makina me targa të Kosovës dhe të kenë karta identiteti [të Kosovës].

Marrim shembull Skocinë, vendin tim, ku ka një autonomi të madhe, por njerëzit ende qarkullojnë me targa të Mbretërisë së Bashkuar dhe kanë pasaporta të Mbretërisë së Bashkuar, pa komprometuar në asnjë mënyrë autonominë dhe kompetencat e Qeverisë skoceze.

Rusia, po ashtu, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe aleatët e saj perëndimorë për shkelje të të drejtave të serbëve dhe përpjekje për të nxitur dhunë. Më herët, Moska është akuzuar për nxitje të jostabilitetit dhe trazirave në Ballkan. A mendoni se Rusia mund të ketë pasur dorë në protestat e fundit në Kosovë?

Rusët po ia “shpaguajnë” mbështetjen Serbisë

Jamie Shea: Është vështirë të thuhet. Nga pozita ku jam sot, si akademik, jo si zyrtar i NATO-s, është vështirë ta them këtë me ndonjë provë ose siguri. Por, është e vërtetë që Rusia mban anën e Serbisë. Ajo e ka ndihmuar Serbinë që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, e ka mbështetur fushatën e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës…

E dimë, po ashtu, që ditëve të fundit ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka qenë në Moskë. Dhe, në kohën kur regjimi i [presidentit rus, Vladimir] Putin është i izoluar ndërkombëtarisht, për shkak të luftës në Ukrainë, shumë pak njerëz shkojnë në Moskë. Është interesante që vendi i vetëm që refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë [për shkak të pushtimit të Ukrainës] është Serbia dhe zyrtarët e saj shkojnë e vizitojnë Moskën.

Rusia ka shumë, shumë pak miq për momentin. Serbia është një nga vendet e pakta që merret me të. Dhe, unë supozoj se rusët ndihen të detyruar që t’ia shpaguajnë Serbisë këtë, duke i dhënë mbështetje për çështje që lidhen me Kosovën.

Një zyrtar i lartë rus ka thënë më 1 gusht se Rusia mund t’i ofrojë Serbisë mbështetje ushtarake, nëse është e nevojshme. A mund ta inkurajojë kjo Beogradin për t’u bërë agresiv?

Jamie Shea: Do të shpresoja që jo. Është e vërtetë që Serbia, viteve të fundit, ka shpenzuar shumë para në armatim dhe se Rusia i ka dhënë Serbisë disa avionë MiG. Por, Serbia merr pajisje më moderne nga Kina. Kina është furnizuese e konsiderueshme e Beogradit, sidomos me dronë. Dhe, dikush mund të pyetet se përse një vend i vogël si Serbia, që dëshiron të anëtarësohet në BE dhe ka nevojë të zhvillojë ekonominë e tij, shpenzon kaq shumë para për ushtrinë

Por, tani, unë mendoj se Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, është duke negociuar anëtarësimin në BE. Ajo i di kushtet për këtë, në kuptimin e pranimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, standardeve, sjelljes paqësore. E di, po ashtu, se NATO-ja ka prani të fuqishme në Kosovë, se KFOR-i është atje. E di edhe për BE-në, që ka rreth 200 anëtarë në misionin e saj në Kosovë, EULEX. Pra, mendoj se po bëhen shumë gjeste, porse, në fakt, kemi të bëjmë me një luftë diplomatike, e jo luftë ushtarake.

Duhet guxim për të bërë paqe

Përse normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po merr kaq kohë? Palët kanë nisur negociatat qysh në vitin 2011.

Jamie Shea: Ne të gjithë e dimë se kompromisi është i vështirë. Shumë pak njerëz shpërblehen për të qenët heronj të kompromiseve. Merrni shembull ish-kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, i cili, besoj unë, është figurë e madhe historike, sepse ka bërë paqe me Maqedoninë e Veriut, duke i njohur emrin pas disa dekadave mosmarrëveshje. Ai ka bërë gjënë e duhur. Por, a është kryeministër i Greqisë sot? Ai i ka humbur zgjedhjet.

Pra, fatkeqësisht, duhet të pranojmë se paqeruajtësit, pajtuesit, nuk janë gjithmonë njerëzit që shpërblehen. Ka qenë Anëar al Sadat nga Egjipti, shumë vite më parë… Ai ka shkuar në Jerusalem, më 1977, për të bërë paqe me Izraelin dhe është vrarë më pas nga forcat e tij të armatosura. Ky mund të jetë një shembull ekstrem, por duhet shumë guxim për të bërë paqe dhe për t’u shpjeguar njerëzve se përse kauzat nacionaliste nuk janë më në interesin kombëtar.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti është zgjedhur me shumicë të madhe [votash] dhe Vuçiq, po ashtu, i ka fituar zgjedhjet presidenciale me shumicë të madhe. Pra, të dy ata janë në një pozicion të fuqishëm politik, i cili është i nevojshëm për të bërë paqe… Gjithçka që mund të bëjmë ne në bashkësinë ndërkombëtare, është të përdorim çdo levë që kemi, për t’i shtyrë ata në atë drejtim.

A ka diçka që komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë dhe nuk e ka bërë deri më tani, për t’i përafruar palët?

Jamie Shea: Ne nuk mund ta duam paqen më shumë se ata. Ata duhet ta duan vetë. Dhe është e vërtetë që mund të marrë shumë kohë. Për shembull, në rastin e konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve, nuk jemi ende [te paqja]. Por, shembulli i Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë [për zgjidhjen e çështjes së emrit] tregon se edhe një mosmarrëveshje mjaft e hidhur, e zvarritur për gati 30 vjet, mund të zgjidhet, kur dy udhëheqësit janë të gatshëm të kenë frymë kompromisi. Pra, ka shembuj që mund t’i imitojmë.

Ne duhet t’ia bëjmë të qartë edhe Kosovës, edhe Serbisë se nëse duan të jenë pjesë e BE-së, pjesë e NATO-s – edhe pse Serbia nuk e kërkon anëtarësinë në NATO – ata duhet të sillen si evropianë.

Si e shihni zgjidhjen midis Kosovës dhe Serbisë? Çfarë do të duhej të përfshinte marrëveshja mes tyre?

Jamie Shea: Serbia nuk mund të jetë realisht pjesë e Bashkimit Evropian derisa nuk e njeh Kosovën… [Zgjidhja] gjithashtu duhet ta kushtëzojë ndihmën për Kosovën me vullnetin e saj për të ecur përpara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme