Hoxhaj: Qasja e Kurtit në dialog është vetëm në interes të Serbisë dhe jo të Kosovës

19:46 | 24 Gusht 2022
L G

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë se qasja e kryeministrit Albin Kurti në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, është vetëm në interes të Serbisë dhe jo të Kosovës.

Hoxhaj, i cili aktualisht është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se qasja e Kosovës në dialog me Serbinë po lëvizë në rreth të mbyllur dhe jo drejt qëllimit final, siç u shpreh ai, marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.

“Përzgjedhja e temave teknike me përfitime populiste, kanë zëvendësuar dialogun nga një platformë për normalizim ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë në temë të menaxhimit të krizës! Kjo qasje është vetëm në interes të Serbisë, që çdo herë synon ta mbajë Kosovën larg nga marrëveshja e madhe, e të përqëndruar në kriza të vogla!”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai, tutje ka thënë se kryeministri Kurti “dikur thoshte që Kosova duhet të jetë palë e barabartë në tavolinë, dhe jo në meny, por ai tashmë e ka bërë Kosovën temë në menynë e menaxhimit të krizave ndërkombëtare! Kjo është pasojë kur negociohet pa vizion, pa platformë, pa parime dhe pa qëllime!”.

“Ndryshimi gjeopolitik është aq i shpejtë dhe reagimi i z. Kurti është aq i ngadaltë, sa që Kosova po humbë shancën historike që gjatë Presidencës Biden të arrijë një marrëveshje historike me Serbinë, në një kohë të rënies së Rusisë dhe izolimit të Serbisë!”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, në fund të shkrimi, Enver Hoxhaj u shpreh se për amerikanët ekziston një plan kohor që duhet të mbyllet tema e raporteve tona me Serbinë, por, sipas tij, Kosova nën udhëheqjen e Kurtit, “po lëvizë në kohë e hapësirë drejt izolimit të vetimponuar!”./arbresh.info/

Të ngjashme