Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të rregullt, në të cilën ka miratuar njëzet e katër vendime.
Në vazhdimësi të masave mbrojtëse për konsumatorët dhe operatorët ekonomikë, në kuptim të rregullimit të çmimeve të produkteve të naftës, u plotësua dhe ndryshua Udhëzimi Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse.
Qeveria ndau mjete buxhetore për zbatimin e masës 3.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe miratoi vendimin në lidhje me zotimin e ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e konsumatorëve, në vlerë 41 milionë euro. Po ashtu, Avokaturës Shtetërore iu ndanë 500.000 euro.
U themelua Komisioni Ekzekutiv për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si grup ndër-institucional që do të jetë përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në BE.
Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, u miratua vendimi për vazhdimin e mbështetjes nga Qeveria, për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Republikën e Kosovës.
Me qëllim të forcimit të zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, u miratuan udhëzimet administrative për Autoritetet përgjegjëse për realizimin e të drejtave të fëmijës, si dhe për Këshillin për të drejtat e Fëmijës.
U miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë, që do të vendosë themelet për strukturë të qëndrueshme për zhvillimin e fuqisë kreative të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Rregullorja për Financimin e Dërgimit të Forcës së Sigurisë Jashtë Vendit, si dhe Rregullorja për Procedurat Konkurruese dhe Pranimi për Nëpunësit Administrativ dhe Mbështetës. Kjo e fundit ka për qëllim ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe profesional për procedurat konkurruese dhe pranimin për nëpunësit administrativ dhe mbështetës, në pajtim me parimet e Ligjit për zyrtarët publikë.
U themelua Komiteti për Administrimin e Tokës dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacionin Hapësinor të Republikës së Kosovës.
Është miratuar edhe vendimi përfundimtar per shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës, në zonën kadastrale: Palaj (Caravodicë) të Komunës së Obiliq.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore “Kooperativa Bujqësore 23 Nëntori”, të cilat janë prekur nga realizimi i projektit: Zgjerimi dhe Rehabilitimi i Rrugës ekzistuese në fshatin Bajgorë, zonat kadastrale: Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Miratimin nga kabineti qeveritar mori edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, mamive, farmacistëve dhe veterinerëve në nivel të vendeve anëtare të Këshillit për Bashkëpunimin Regjional.
U mor vendim për obligimin e të gjitha institucionet publike që të sigurojnë qasje në ujë të pijes, brenda të gjitha institucioneve dhe hapësirave publike. Vendimi obligon të gjitha institucionet publike që të sigurojnë mirëmbajtjen e rezervuarëve ekzistues, pompave shtytëse dhe sistemin në tërësi brenda të gjitha institucioneve dhe hapësirave publike, si dhe të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe të njëjtën ta ekspozojnë pranë rubineteve të instaluara për konsum të ujit.
Po ashtu, u mor vendim për shpallje me interes të veçantë publik për prona të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.
Në mbledhjen e sotme u plotësua Programi Legjislativ për vitin 2022.
Miratimin e kabinetit qeveritar e morën pesë projektligje:
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar per Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. Kjo marrëveshje, në vlerë prej 47 milionë euro, synon përmirësimin e politikave dhe asistencës sociale për familjet në nevojë dhe avancimin e sistemeve të integruara sociale.
Projektligji per Ratifikimin e Vendimit Nr. 1/2022 të Këshillit të Stabilizim Asocimit BE – Kosovë për Amendamentimin e Marrëveshjes se Stabilizim Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike dhe Kosovës, për t’u zëvendësuar Protokolli III në lidhje me konceptin e ”Produkteve Origjinuese”.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Dypalëshe të Bashkëpunimit per Zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit te Madh te Luksemburgut. Ratifikimi i këtij Projektligji do të mundësojë procedimin e mëtejmë të realizimit të shfrytëzimit të garantit në vlerë prej 35 milionë eurove, të zotuar nga Dukata e Luksemburgut për Republikën e Kosovës.
Projektligji për Ratifikimin e “Amendamentimit 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015”. Qëllimi i Amandamentimit 2 të kësaj marrëveshjeje është zgjatja e afatit për zbatimin e programit vjetor IPA 2015, edhe për një vit shtesë.
Projektligji për Ratifikimin e “Amendamentimit Nr. 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Bashkimit Evropian per Programin IPA 2018”. Ky ndryshim synon të rialokojë fondet sipas objektivit 2 dhe synon të zgjasë periudhën e përfundimit operacional për një vit.
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua