Google ADS

Kurti: Më 1 shtator ose do të lëshohen dokumente hyrje/dalje nga Kosova e Serbia ose nga asnjëra

13:55 | 24 Gusht 2022
A Z

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se më 1 shtator ose do të lëshohen dokumentet për hyrje/dalje edhe nga Serbia edhe nga Kosova ose nuk do të lëshohen nga asnjëra palë.

Ai tha se Kosova e ka shtyrë zbatimin e këtij vendimi si gjest i vullnetit të mirë karshi kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë, por ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet në vazhdimësi.

“Ne kemi bërë një koncesion të madh në datën 31 korrik që vendimi që do të duhej të zbatohej nga 1 gushti të fillojë nga 1 shtatori, natyrisht pasi të hiqet edhe barrikada e fundit dhe pasi për këtë të më njoftojë Policia e Kosovës dhe pasi që në ndërkohë janë lëshuar dokumentet e hyrje/daljeve në të gjitha vendkalimet kufitare. 2679 dokumente janë lëshuar, asnjë incident, asnjë ankesë. 20 sekonda mesatarisht në mënyrë fort efikase meqë gjithçka kryhet në mënyrë elektronike sa i përket marrjes së të dhënave dhe kemi dëshmuar që 1 gushti do të ishte një ditë krejtësisht e zakonshme në kontrast me 31 korrikun”.

“Shtyrja nuk ka ndodhur në mënyrë që shtyrja të bëhet principi. Shtyrja nuk është principi – gjest i vullnetit të mirë karshi brengave të partnerëve ndërkombëtarë se ka pasë një fushatë të madhe të dezinformimit përgjatë gjithë muajit korrik. Po e luftojmë dezinformimin, po e rrisim informimin dhe me datë 1 shtator do të kemi njërin prej dy skenarëve – ose nuk do të ketë dokument hyrje/dalje as në Serbi e as në Kosovë ose do të ketë në të dyja. Kur ne themi që po bëjmë dialog për marrëveshje mendojmë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që është ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme dhe një marrëveshje e cila e ka në qendër njohjen reciproke”, tha ai në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme