Agjencia e OKB-së për fëmijët thotë se të paktën 972 fëmijë ukrainas janë konfirmuar të vrarë ose të plagosur nga dhuna që kur Rusia filloi sulmin në Ukrainë pothuajse gjashtë muaj më parë.
UNICEF tha të hënën se kjo shifër përfaqëson numrin e viktimave që janë verifikuar nga OKB-ja dhe se numri real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
Shumica e viktimave janë shkaktuar nga armë shpërthyese, thuhet në një deklaratë të Drejtoreshës Ekzekutive të UNICEF-it, Catherine Russell.
“Si në të gjitha luftërat, vendimet e pamatura të të rriturve po i vënë fëmijët në rrezik ekstrem. Nuk ka operacione të armatosura të këtij lloji që nuk rezultojnë me lëndime të fëmijëve”, thuhet në deklaratën e saj.
Zonja Russell tha se përveç fëmijëve që janë vrarë ose plagosur në dhunë, “pothuajse çdo fëmijë në Ukrainë është ekspozuar ndaj ngjarjeve thellësisht shqetësuese dhe ata që ikin nga dhuna janë në rrezik të konsiderueshëm të ndarjes nga familja, dhunës, abuzimit, shfrytëzimit seksual dhe trafikimit.”
Ajo tha se fillimi i vitit shkollor në Ukrainë, në pak më shumë se një javë, është një kujtesë se sa shumë kanë humbur fëmijët në vend.
Zonja Russell tha se agjencia e saj vlerëson se 1 në 10 shkolla në Ukrainë janë dëmtuar ose shkatërruar nga bombardimet.
“Të gjithë fëmijët duhet të jenë në shkollë dhe të mësojnë, përfshirë fëmijët që janë në gjendje emergjente. Fëmijët në Ukrainë dhe ata të zhvendosur nga kjo luftë nuk bëjnë përjashtim”, tha ajo.
UNICEF-i bëri thirrje për t’i dhënë fund përdorimit të armëve shpërthyese në zonat e populluara, si dhe sulmeve ndaj objekteve dhe infrastrukturës civile.
Qeveria e Ukrainës ka akuzuar Rusinë se qëllimisht ka vënë në shënjestër civilët në Ukrainë, një akuzë që Moska e ka mohuar. /voa
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...