Shefi i ushtrisë ukrainase, gjeneral Valerii Zaluzhnyi thotë se si pasojë e sulmit të Rusisë në Ukrainë, që këtë javë shënon gjashtë muaj që prej fillimit të tij, janë vrarë 9 mijë ushtarë ukrainas. Komentet e tij vijnë ndërsa nuk ka ndonjë shenjë se intensiteti i luftimeve po bie.
Gjatë një aktiviteti për veteranët, Gjeneral Valerii Zaluzhnyi, tha se duhet treguar kujdes për fëmijët e Ukrainës pasi “baballarët e tyre shkuan në front dhe mund të jenë ndoshta ndër 9 mijë heronjtë e vrarë”.
Në Nikopol, në bregun përballë të lumit pranë centralit kryesor bërthamor të Ukrainës, bombardimet ruse plagosën katër persona të hënën, tha një zyrtar. Qyteti në lumin Dnieper është përballur me goditje të pamëshirshme që nga 12 korriku, të cilat kanë dëmtuar rreth 850 ndërtesa dhe kanë larguar rreth gjysmën e popullsisë prej 100 mijë banorësh.
OKB-ja thotë se 5,587 civilë janë vrarë dhe 7,890 janë plagosur gjatë sulmit rus në Ukrainë që filloi më 24 shkurt, ndërsa ka të ngjarë që ky të të jetë një vlerësim konservator.
“Ndjej urrejtje ndaj rusëve”, thotë 74-vjeçarja Liudmyla Shyshkina, duke qëndruar në buzë të banesës së saj të shkatërruar në katin e katërt të një godine në Nikopol që nuk ka më mure. Ajo është ende e plagosur nga shpërthimi i 10 gushtit që vrau burrin e saj 81 vjeçar, Anatolij.
“Nuk ma mori babanë Lufta e Dytë Botërore, por Rusia”, vuri në dukje Pavlo Shyshkin, djali i tij.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë i bënë thirrje të dielën Rusisë që t’i japë fund të gjitha operacioneve ushtarake pranë uzinës bërthamore në Zaporizhzhya – më e madhja në Evropë – por Nikopoli u sulmua tre herë gjatë natës me raketa dhe predha mortajash. U goditën shtëpitë, një kopsht fëmijësh, një stacion autobusi dhe dyqane, thanë autoritetet.
Ekziston frikë në masë se bombardimet dhe luftimet e vazhdueshme në zonë mund të çojnë në një katastrofë bërthamore. Rusia ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën për të diskutuar situatën me termocentralin bërthamor në Zaporizhzhia.
Vladimir Rogov, një zyrtar me administratën e ngritur nga Rusia në rajonin Zaporizhzhia, tha të hënën se për shkak të bombardimeve, personeli në centralin bërthamor është shkurtuar, dhe ka mbetur vetëm personeli bazë për të vazhduar funksionimin e tij.
Njoftimi i së hënës për shifrat e ushtarakëve të vrarë të Ukrainës dallon nga të dhënat e ushtrisë ruse, e cila për herë të fundit dha një përditësim më 25 mars, kur tha se 1,351 forca ruse u vranë gjatë muajit të parë të luftimeve. Zyrtarët ushtarakë amerikanë vlerësuan dy javë më parë se Rusia ka humbur nga 70 mijë deri në 80 mijë ushtarë, të vrarë dhe të plagosur në luftime.
Në vijën e frontit, ushtria ukrainase tha se kreu një sulm në një urë kyçe mbi lumin Dnieper në rajonin Kherson të pushtuar nga Rusia. Zyrtarët lokalë të caktuar nga Rusia thanë se sulmi vrau dy persona të hënën dhe plagosi 16 të tjerë.
Fotot e postuara në mediat sociale treguan shtëllunga të dendura tymi që ngriheshin mbi Urën “Antonivskiy”, e cila ka qenë një rrugë kryesore furnizimi për ushtrinë ruse në Kherson.
Në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia, ankthi është përhapur pas një vale zjarresh dhe shpërthimesh në objektet ruse gjatë dy javëve të fundit. Guvernatori i Sevastopolit i mbështetur nga Rusia, Mikhail Razvozhaev, urdhëroi që të vendoseshin tabela që tregonin vendndodhjen e strehimeve nga bombardimet në qytet, i cili prej kohësh dukej i paprekshëm.
Sevastopoli, porti i Krimesë ku ka shtabin flota ruse e Detit të Zi, ka patur një seri sulmesh me dron. Një dron shpërtheu në selinë e flotës më 31 korrik dhe një tjetër u rrëzua mbi të javën e kaluar. Autoritetet thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar edhe drone të tjerë.
Zyrtarë në Razvozhaev njoftuan në Telegram se qyteti është i mbrojtur mirë, por se “është më mirë të dimë se ku janë vendstrehimet”.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk e përmendi drejtpërdrejt luftën gjatë një fjalimi me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar të hënën, por i bëri jehonë disa prej justifikimeve të përmendura mbi sulmin.
“Ne jemi të vendosur të ndjekim në arenën ndërkombëtare vetëm ato politika që plotësojnë interesat themelore të atdheut”, tha zoti Putin. Ai këmbëngul se Rusia dërgoi trupa në Ukrainë për ta mbrojtur atë nga infiltrimi i Perëndimit./voa
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...