Për turistët vendas preferenca në muajin qershor ishte jugu i vendit, ndërsa të huajt kanë pasur destinacion kryesisht zonën qendrore (bregdetin e Durrësit e Tiranën) si dhe veriun.
Sipas të dhënave të INSTAT, në qershor, që është dhe fillimi i sezonit turistik, 47% e vizitorëve vendas u akomoduan në jug të vendit. Në rajonin e qendrës pushuan 29% të totalit të vendasve dhe në veri 24%.
Krejt të ndryshme janë preferencat për të huajt. Po në qershor, 45% e të huajve u akomoduan në qendër të vendit, që përfshin kryesisht hotelet e Tiranës dhe të zonës së bregdetit të Durrësit e Golemit. Afërsia me aeroportin e Rinasit dhe strukturat e mëdha hoteliere në Durrës që punojnë përmes prenotimeve të agjencive turistike dhe çmimet e përshtatshme vlerësohen si faktorët kryesorë që tërheqin të huajt në zonën bregdetare të Durrësit. Kjo zonë ka rezultuar me ecurinë më të suksesshme këtë sezon turistik.
Pas bregdetit, më i preferuar për të huajt është Veriu i vendit, i njohur për natyrën e tij unike të paprekur malore dhe pamjet mahnitëse të alpeve shqiptare. 30% e të huajve kanë zgjedhur të vizitojnë Thethin, Valbonën, apo fshatra të tjerë.
Në Jug kanë shkuar vetëm 25% ë të huajve që janë akomoduar në strukturat turistike në qershor.
Në total, përfshirë vizitorët rezidentë dhe jo rezidentë, rajoni qendror tërheq pjesën më të madhe, me 38%, ndjekur nga Jugu me 34% dhe Veriu me 28%.
Sipas INSTAT, turizmi i është kthyer gradualisht normalitetit të tij këtë vit duke regjistruar shifra në rritje në të gjithë aspektet krahasuar me vitet e pandemisë. Shifrat e fundit të strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT për qershorin tregojnë disa prej tendencave kryesore që po shihen tek vizitorët. Kështu në muajin Qershor 2022, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 25,5 %, në krahasim me Qershor 2021.
Vetëm 11% e shtetasve të huaj rrinë në struktura akomoduese
Në qershor, sipas INSTAT në vend hynë 876 mijë shtetas të huaj. Por, vetëm 102 mijë persona kanë qëndruar në strukturat akomoduese të regjistruara, po sipas INSTAT. Si rrjedhojë, vetëm 11% e shtetasve të huaj që erdhën në qershor rezultojnë të kenë qëndruar në struktura akomoduese.
INSTAT sqaron se në anketën e strukturave akomoduese përfshihen të gjitha strukturat akomoduese turistike nga Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve të vitit 2020. Strukturat akomoduese turistike klasifikohen në: Hotele dhe akomodime të ngjashme (hotele, resort hotelier -kompleks turistik-, hotel suita / apartamente, motele; Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime (shtëpi pushimi për fëmijë dhe të tjerë, apartamente dhe shtëpi njëkatëshe për vizitorë, shtëpi pushimi familjare pa shërbim në dhomë, bujtina të rinjsh dhe streha malore); Hapësirat për kampingje dhe për parqe, për çadra ose rulota argëtimi.
Në qershor., 94% e vizitorëve të huaj që kanë qëndruar në strukturat akomoduese të regjistruara ishin në hotele, dhe pjesa tjetër në akomodime të tjera dhe kampingje.
Pesha e ulët e të huajve që qëndrojnë në struktura të ligjshme akomoduese në raport me hyrjet totale reflekton informalitetin e lartë, sidomos në ambientet që qepen me qira përmes booking, apo airbnb, si dhe faktin që një pjesë e të huajve mund të jenë emigrantë dhe qëndrojnë në shtëpitë e tyre, apo tek të afërmit./Instat/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...