Ndonëse nuk u arrit ndonjë rezultat konkret nga takimi i 18 gushtit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithatë njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se para datës 1 shtator mund të arrihet marrëveshje për targat dhe dokumentet. Këtë datë ata e ndërlidhin para fillimit të zbatimit të reciprocitetit për targa dhe letërnjoftime.
Madje, nga këndvështrimet e njohësve të rrethanave politike, mund të ndodhë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje për njohje reciproke.
Takimi i fundit për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa rezultate konkrete, ndonëse ishte pritur që të paktën dy shtetet të merreshin vesh për targat dhe për letërnjoftimet. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nga data 1 shtator do të fillojë së zbatuari vendimin për reciprocitet.
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë mendime të ndryshme se deri me 1 shtator palët mund të merren vesh.
Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, është shprehur optimist se deri me 1 shtator palët do të arrijnë marrëveshje. Madje, ai për Radio Kosovën thekson se duke parë atë që ka ndodhur në takim e fundit në Bruksel, palët mund të arrijnë marrëveshje për njohje.
“Shpresoj se deri me 1 shtator të arrihet ndonjë marrëveshje që ka të bëjë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe me lëshimet që Kosova do t’i bëjë në këmbim të njohës. Janë disa shenja që një gjë e tillë mund të ndodhë për faktin se asgjë nuk lëvizi nga takimi i fundit, mund të ndodhë që deri sa të përgatitet opinioni i brendshëm në Serbi e Kosovë që të bëhet një marrëveshje e tillë”, tha Spahiu.
Analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se palët mund të arrijnë marrëveshje të përkohshme para datës një shtator. Megjithatë, Burjani është skeptik për një marrëveshje të tillë, meqë, sipas tij, nuk ka kohë të mjaftueshme për arritjen e një marrëveshje të përhershme.
“Mund të arrihet një paqe e përkohshme. BE-ja mendon që ka kohë deri me 1 shtator, por unë mendoj që kohë nuk ka. Këta dëshirojnë një menaxhim të përkohshëm të gjendjes, eventualisht të gjejnë mënyra alternative”, tha Burjani.
Qeveria e Kosovës, pati vendosur që nga data 1 gusht të fillojë zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftim, por më datë 31 korrik, situata në veri të vendit u tensionua. Me kërkesë të ShBA-së dhe BE-së, kryeministri Albin Kurti e shtyu vendimin deri me 1 shtator. E menjëherë pas kësaj Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ftoi në takim kryeministri Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq, por që takimi përfundoi pa ndonjë rezultat konkret. Ndërkohë, Borell ka deklaruar se deri me 1 shtator palët mund të merren vesh për disa tema të caktuara./RTK/
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...
Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i ...
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...