Google ADS

Punonjësit e metrosë së Londrës në grevë për pagat dhe pensionet

23:13 | 20 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Punonjësit e sindikatës në Hekurudhat, Detin dhe Transportin (RMT) që punojnë në sistemin e metrosë së Londrës kanë hyrë në grevë për shkak të pagave dhe pensioneve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shumica e linjave të metrosë u pezulluan dhe shërbimet e autobusëve në Londrën perëndimore dhe jugperëndimore po ashtu u ndërprenë për shkak të grevës së posaçme për paga.

Punonjësit e hekurudhave ishin në grevë dje dhe sërish do të jenë të shtunën.

Vala e veprimeve industriale vjen mes një krize të përshkallëzuar të kostos së jetesës të shkaktuar nga inflacioni dyshifror në Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretari i Transportit, Grant Shapps, për ‘Sky News’ tha se shefat e sindikatave duhet “të largohen nga rruga” dhe të lejojnë anëtarët të votojnë për marrëveshjet e reja të pagave që po propozohen.

Kreu i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, nga ana e tij, tha se mënyra se si po sillet qeveria është pothuajse sikur po provokojnë qëllimisht greva në të gjithë vendin, “jo vetëm në sektorin e transportit, por edhe në sektorë të tjerë, si një pararendës për legjislacionin për të kufizuar të drejtat e sindikatave për të dalë në grevë”.

Khan tha se ai është në të njëjtën anë me RMT-në dhe se dëshiron t’i shoh ata të sigurojnë marrëveshjen më të mirë të mundshme.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i RMT-së, Mick Lynch, tha se nuk kanë marrë ndonjë marrëveshje nga autoritetet e metrosë së Londrës për të ardhmen e skemës së pensioneve, e cila sipas tij është nën kërcënim.

“Për momentin ka negociata që po zhvillohen midis qeverisë, Sekretariatit të Thesarit dhe zyrës së kryetarit Khan për financimin e ardhshëm të metrosë së Londrës”, tha Lynch.

Shefi operativ i Transportit për Londrën, Andy Lord, tha se “do të doja t’u kërkoja falje klientëve tanë për aksionin e grevës që po kryhet nga RMT-ja dhe Sindikata”, gjë e cila sipas tij do të ketë një ndikim të rëndësishëm në rrjetin e transportit të qytetit”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme