Vuçiq pranon një telefonatë nga këshilltar i Sekretarit amerikan të Shtetit, tema kryesore takimi me Kurtin

19:56 | 16 Gusht 2022
E.H

Vetëm dy ditë para takimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pranuar sot një telefonatë nga Washingtoni.

Ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me Derek Chollet, këshilltar i Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Kjo është bërë e ditur nga Presidenca e Serbisë, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

Aty thuhet se temë kryesore e kësaj bisede ishin takimet që pritet të zhvillohen në Bruksel, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“Vuçiq tha se Serbia është e përkushtuar për të siguruar stabilitet dhe paqe në rajon derisa shprehu pritshmëritë e tij që SHBA-ja dhe Partnerët Perëndimorë ta shtyejnë Kosovën që t’i qaset dialogut me seriozitet dhe përgjegjshmëri. Tutje, Vuçiq dhe Chollet biseduan edhe për mundësitë e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë.

Ndryshe, Kurti e Vuçiq do të takohen në Bruksel, të enjten.

Agjenda e takimit ende nuk është bërë e ditur, por zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në këtë takim parashihet të diskutohen dy pika kryesore, që janë elementet e një kornize të përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë, me njohje reciproke në qendër dhe zhvillimet aktuale në vend./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme