Kursi abuziv i euros, po blihen edhe nën kursin që ka vendosur Banka Qëndrore

22:17 | 15 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Euro ka rënë në nivelet më të ulëta në histori duke u këmbyer me 117.08 lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë. Pak javë më parë monedha evropiane qëndronte në nivelet e 116.6 lekëve.

Por, nga një vëzhgim në terren i Top Channel shihet se shumë biznese kanë të afishuara kurset e tyre të këmbimit, ndryshe nga ai zyrtar, duke qenë gjithmonë poshtë nivelit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

Edhe turistë të ndryshëm kanë raportuar për Top Channel se në pikat turistike eurot i kanë thyer edhe me 112 lekë.

Për ekspertët ky informalitet në ekonomi duhet ndalur.

“Organet tatimore duhet të bëjnë detyrën e tyre, pasi kjo nuk është përgjegjësi vetëm e politikës monetare. Duke qenë të sinkronizuara të dy institucionet i detyrojnë më shumë bizneset të jenë të përgjegjshme karshi vetes, karshi tregut dhe faturimit. Moszbatimi i atyre normave referuese ndodh në bizneset informale të cilët janë të prirur për të kapur opsionet e momentit, në mënyrë që të përfitojnë dhe maksimizojnë sa më shumë. Dhe natyrshëm nëse Tatimet kapin në flagrancë këto biznese informale ndihmon edhe politikën monetare. Sa më e ulët të jetë norma e këmbimit në euros ndikon në konsumin dhe aktivitetin e përditshëm të bizneseve”, tha Eduart Gjokutaj.

Shqipëria edhe pse ndjek një politikë deeuroizimi prej 5 vitesh, gjithmonë e më shumë shikon prezencën e kësaj monedhe në vendin tonë dhe në disa indikatorë si depozitat bankare, euro është monedha dominuese.

Pavarësisht përpjekjeve ende nuk është bërë e mundur arritja e objektivave të uljes së ndikimit të euros në ekonomi.

Gjithashtu remitancat që përbëjnë gati 10% të Prodhimit të Brendshëm, në 90% e tyre janë në euro, por edhe 70% e tregtisë së jashtme zhvillohet me vendet e BE.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme