Google ADS

Teherani fajëson shkrimtarin Rushdie për sulmin ndaj tij

15:56 | 15 Gusht 2022
arbresh.info

Teherani tha se Salman Rushdie është fajtor për sulmin me thikë ndaj tij, ndërkaq Uashingtoni kritikoi mediat shtetërore iraniane për reagimin e “neveritshëm” ndaj “këtij sulmi të tmerrshëm” që plagosi rëndë Rushdien.

Në reagimin e parë ndaj sulmit me thikë, Teherani tha më 15 gusht se mohon “në mënyrë kategorike” çdo lidhje me sulmin që ndodhi tri ditë më parë në shtetin e Nju Jorkut.

Rushdie u hoq nga ventilatori më 14 gusht dhe ishte në gjendje të flasë pasi ka pësuar lëndime të rënda me thikë. Ai u sulmua teksa po fliste në një panel për lirinë e shprehjes në Institutin Shatakua.

Fillimisht, Teherani kishte heshtur për sulmin, por sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi mediat shtetërore iraniane për reagimin e tyre.

“Institucionet shtetërore iraniane, për gjenerata të tëra kanë nxitur dhunë ndaj Rushdie, dhe mediat e lidhura me shtetin së fundmi i janë gëzuar sulmit ndaj jetës së tij”, tha Blinken përmes një deklarate të publikuar në orët e vona të 14 gushtit.

“Kjo është e neveritshme”, shtoi ai.

Sulmuesi që po akuzohet për sulmin ndaj autorit të romanit kundërthënës “Vargjet Satanike”, është deklaruar i pafajshëm për veprat: tentim-vrasje dhe sulm. Por, prokurorët thanë se ky ka qenë një krim i planifikuar.

Avokati i sulmuesit, Hadi Matar, tha se klienti i tij deklarohet i pafajshëm. Një gjykatës ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim, pa mundësi të lirimit me kusht.

Rushdie, 75 vjeç, në sulm ka pësuar dëme në mëlçi dhe i janë dëmtuar disa nerva në krah dhe sy. Ai ka të ngjarë që të humbë shikimin në syrin e lënduar.

Për vite me radhë, Rushdie është përballur me kërcënime me vdekje për shkak të romanit të tij, “Vargjet Satanike”, që shumë myslimanë e shohin si blasfemike.

Matar, 24 vjeç, po akuzohet se ka sulmuar autorin Rushdie në skenën e Institutit Shatakua dhe e ka goditur me thikë të paktën 10 herë në fytyrë, qafë dhe barkë.

NBC News ka cituar një zyrtar të zbatimit të ligjit të ketë thënë se llogaritë e Matarit në rrjetet sociale tregojnë se ai ka simpati për ekstremizmin shiitë dhe për kauzën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Ende nuk ka konfirmim të lidhjeve mes Gardës Revolucionare dhe sulmuesit, por vlerësimi i parë thotë se ai ka shprehur simpati për Qeverinë iraniane.

Romani “Vargjet Satanike” është i ndaluar në Iran. Një vit pas publikimit të librit më 1988, lideri i atëhershëm i Iranit, Ayatollah Ruhollah Khomeini, lëshoi një urdhëresë, duke bërë thirrje për vdekjen e Rushdies.

Qeveria iraniane ka distancuar veten nga kjo urdhëresë, por ndjenja anti-Rushdie ende vazhdon në këtë shtet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme