Do të ketë vendim apo do të lejohet në ‘heshtje’ bartja e shamisë në shkolla

09:00 | 14 Gusht 2022
A. B.

Nëpër të gjithë Kosovën ka patur nxënës që kanë ndjekur mësimin duke qenë me shami, pavarësisht se ekziston ndalesa.

Duket se mund të vazhdojë në ‘heshtje’ të lejohet bartja e shamisë meqë ende nuk ka ndonjë reagim nga institucionet zyrtare.

Durim Berisha avokat dhe Liridon Kurti aktivist i shoqërisë civile, presin një vendim konkret deri më 1 shtator, kur edhe fillon zyrtarisht viti shkollor 2022/2023.

Berisha përsërit se kjo kërkesë është bërë në bazë të ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Avokati beson se kjo çështje do të përmbyllet para fillimit të ri shkollor.

“Ne jemi sot në ditën e 11-të. Besojmë se kjo çështje do të përmbyllet para fillimit të vitit të ri shkollor, pra para datës 1 shtator”, tha ai për arbresh.info

E bashkëpunëtori i tij Liridon Kurti, shprehet optimist duke thënë se kjo gjë do të largohet pasi nuk ka ndonjë arsye që një gjë e tillë të vazhdojë më.

“Patjetër që mendojmë që duhet të largohet , nuk ka ndonjë arsye”, thotë ai për arbresh.info.

Me këtë nënkuptojmë që sipas tyre nuk do të jetë më nevoja që në heshtje të vazhdojë lejimi i shamisë në shkolla, por do të aprovohet si kërkesë.

Kujtojmë se Kushtetuta e përcakton Republikën e Kosovës si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

Avokati Berisha kishte thënë ditë më parë se nëse kjo nuk realizohet, do të ndjekin rrugët ligjore.

“Ne presim që ministria të përmbushë këtë detyrim kushtetues dhe ligjor, mirëpo nëse një gjë e tillë nuk do të ndodh, do të vazhdojmë rrugët gjyqësore, derisa kjo kërkesë të jetësohet”, kishte thënë ai për arbresh.info

Shumë vite më parë, Albin Kurti kryeministër i tanishëm, si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, në një iftar të organizuar gjatë fushatës së vitit 2017, kishte deklaruar se është kundër ndalimit të shamisë.

“Lëvizja Vetëvendosje është kundër ndalimit të shamisë për vajzat mbi 16 vjeç. Duhet ta kenë fytyrën e zbuluar sepse përndryshe është i pamundur identifikimi.

Ne insistojmë në atë çfarë ka në kokë e jo mbi kokë”, kishte thënë Kurti.

E lidhur me këtë nuk ka akoma asnjë reagim as nga Qeveria e as nga Ministria. Ndryshe deri në fillimin e vitit të ri shkollor nuk ka mbetur edhe shumë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodh me këtë gjë dhe çfarë kahje do të marr kjo çështje./Kujtesë Berisha /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme