Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian (BE), mbështeti propozimin për ndalimin e vizave në mbarë BE-në për qytetarët rusë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ndalimi i vizave ruse nga të gjitha vendet anëtare të BE-së mund të jetë një tjetër sanksion shumë efektiv”, tha në një deklaratë ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.
Komentet e tij i japin mbështetje një synimi të tillë nga Estonia, Letonia dhe Finlanda që të gjitha shtetet e BE-së të ndalojnë lëshimin e vizave turistike për rusët dhe të parandalojnë anashkalimin e ndalimit.
Kryediplomati i Estonisë, Urmas Reinsalu, dje tha se do të paraqesë një propozim zyrtar në Këshillin e BE-së, të kryesuar nga Republika Çeke.
Lipavsky konfirmoi se do ta përfshijë propozimin në agjendën e takimit jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së në Pragë më 31 gusht.
“Në kohën e agresionit rus, të cilin Kremlini vazhdon ta përshkallëzojë, nuk mund të flitet për turizëm të përbashkët për qytetarët rusë”, tha ai.
Nëse miratohen, sanksionet e reja do të dërgojnë një “sinjal shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për shoqërinë ruse”, shtoi ai.
Qëndrimi i Republikës Çeke nuk është befasues pasi ishte vendi i parë i BE-së që pezulloi vizat për të gjithë rusët, me përjashtim të rasteve humanitare, menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte sugjeruar më herët masën si një mënyrë për të rritur presionin diplomatik ndaj Moskës.
“Të vizitosh Evropën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore”, tha kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, në fillim të kësaj jave.
Megjithatë, kancelari gjerman Olaf Scholz dje e hodhi poshtë idenë, duke theksuar se “kjo është luftë e Putinit” dhe se sanksionet nuk duhet të dëmtojnë njerëzit e pafajshëm.
BE-ja ka miratuar shtatë pako të sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, duke synuar, ndër të tjera, Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Masat përfshijnë gjithashtu sanksione ekonomike si ndalimi i importeve të arit, naftës dhe qymyrit dhe eksporti i mallrave luksoze, si dhe përjashtimi i bankave ruse dhe bjelloruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.
Mickoski: Është koha të flasim për ardhmërinë
Kurti për tunelin që do ta lidhë Prizrenin me Tetovën: Së sh...
Kurti: Me Maqedoninë e Veriut nuk kemi mosmarrëveshje
Nënshkruhen marrëveshjet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedoni...
Kelmendi, Bajramit: Platforma digjitalizimit nuk gjindet, ku...
Mungesa e fëmijëve, Drenusha shpërthen në lot