Nuk të lodh vetëm puna fizike, por edhe mendimi, shkenca zbulon pse

00:00 | 13 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Nuk është vetëm puna fizike që mund të lodh dikë, por edhe përqendrimi dhe puna mendore për disa orë. Ndjenja e lodhjes për shkak të të menduarit intensiv vjen si pasojë e grumbullimit të “toksinave” në tru.

Disa studiues, të udhëhequr nga Dr. Mathias Pesiglione nga Universiteti Pitié-Salpêtrière në Paris, botuan provat për këtë në revistën e biologjisë “Current Biology”. Ata zbuluan se orët e gjata të punës konjitive krijon nënprodukte toksike (kryesisht glutamat) në korteksin paraballor të trurit.

Kjo sjell ndryshime në kontrollin që ka dikush mbi vendimet e veta, me rezultat që gradualisht kthehet në veprime me “kosto” të ulët që nuk kërkojnë shumë përpjekje.

“Teori me ndikim kanë argumentuar më parë se kjo lodhje është një lloj iluzioni i krijuar nga truri për të ndaluar atë që po bëjmë dhe për të kaluar në një aktivitet më shpërblyes. Por gjetjet tona tregojnë se puna mendore rezulton në një ndryshim të vërtetë funksional, një akumulim të substancave toksike, me rezultat ndjenjën e lodhjes.

Ky është një sinjal që na bën të ndalojmë së menduari, por për një arsye tjetër: të ruajmë funksionimin normal të trurit”, tha Pesiglione.

Ndërsa makinat mund të kryejnë vazhdimisht llogaritjet, truri i njeriut nuk mundet. Lodhja e tij lidhet me nevojën për të ricikluar substanca toksike që vijnë nga aktiviteti kognitiv neuronal, siç tregohet nga studimi i ri, i cili regjistroi – duke përdorur spektroskopinë magnetike – kiminë e trurit gjatë ditës.

U ekzaminuan dy grupe njerëzish: një që mendonte shumë dhe një që mendonte lirshëm. Shenjat e lodhjes, si zvogëlimi i zgjerimit të bebëzave, u panë vetëm në grupin e parë që mendoi shumë. Njerëzit në të njëjtin grup kishin gjithashtu nivele më të larta të glutamatit në sinapset e korteksit paraballor. Ngritja e nivelit të glutamatit e bën më të vështirë kontrollin kognitiv pas shumë mendimesh.

Zgjidhja ndaj ndjenjës së lodhjes së trurit është, sipas studiuesve, pushimi dhe gjumi. Ata madje rekomandojnë shmangien e vendimeve të rëndësishme në rrethana pas një pune të vështirë mendore./dita/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme